Connect with us

Lajme

Në Portin e Durrësit sekuestrohen rreth 500 mijë euro

Publikuar

Policia në Shqipëri ka bën të ditur se vlera e sekuestruar  e parave në Portin e Durrësit është gjithsej 498.850 euro të padeklaruara,  të cilat janë gjendur në urën lidhëse të kamionit dhe rimorkios dhe pas skanimit dhe kontrollit u gjetën të fshehura disa pako të mbështjella.

Sasia e valutës së huaj është futur në vend pa u deklaruar në doganë nga shoferi i kamionit, banues në Tiranë i cili është ndaluar për mosdeklarim të vlerave monetare në pikën e kalimit kufitar.

Mësohet se shoferi që drejtonte kamionin është Andon Thanasi, i cili është vënë nën pranga nga organet policore për për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Njoftimi i plotë:

Kontrolle të shtuara, si në dalje, ashtu dhe në hyrje, për të parandaluar dhe goditur paligjshmërinë.

Bashkëpunimi i shkëlqyer i strukturave doganore dhe policore çoi në evidentimin dhe sekuestrimin e një sasie të madhe valute në euro, gjithsej 498.850

Vihet në pranga drejtuesi i kamionit që transportonte shumën e eurove.

Si rezultat i shtimit të kontrolleve, në hyrje të RSH-së, në vijën e dytë, bazuar edhe në analizën e riskut të bërë nga strukturat doganore, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, u ndalua mjeti kamion tip “Renault”, me drejtues A. Th., 56 vjeç, banues në Tiranë.

Në urën lidhëse të kamionit dhe rimorkios, pas skanimit dhe kontrollit u gjetën të fshehura disa pako të mbështjella, brenda të cilave kishte vlera monetare në euro, të padeklaruara.

Menjëherë është njoftuar grupi hetimor dhe specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës.

Drejtuesi i kamionit është shoqëruar në DVP Durrës, për veprime të mëtejshme, ndërsa pakot e mbushura me euro u sekuestruan dhe në përfundim të numërimit nga grupi hetimor dhe i filmuar me kamera i gjithë procesi i numërimit rezultoi se në to kishte 498.850 euro.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Th., 56 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, shërbimet e Policisë Kufitare, ato doganore dhe specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Durrës, po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje./Top Channel/

NA NDIQ NË FACEBOOK