Kosovë
Kjo ishte humbja e thellë që e pësoi Eliot Engel në distriktin e tij

Nga 92% të rezultateve të raportuara, kongresmeni Eliot Engel del se ka pësuar humbje të thellë ndaj sfiduesit të tij, Jamaal Bowman duke e humbur kështu ulësen në Kongres pas 31 vitesh.
Kongresmeni Engel në garën preliminare hyri pas kritikave të shumta që mori për shkak se nuk kishte qenë fare në distriktin e zgjedhësve të tij gjatë kohës së pandemisë Covid-19.
Por, edhe një tjetër skandal doli para disa javësh kur një televizion lokal e xhiroi atë derisa thoshte se “nuk do t’i bënte për protestat kundër racizmit nëse nuk do t’i kishte zgjedhjet”. Kjo kishte zemëruar partinë e tij që avokon fuqishëm kundër dhunës brutale të policisë ndaj komunitetit zezak.
Në zgjedhjet që u mbajtën dje, Engel ka pësuar humbje të thellë në distriktin e 16 nga kandidati progresiv Jamaal Bowman.
60,5 për qind ka marrë Bowman që u përkrah nga demokratët e tjerë progresivë si Bernie Sanders, Elizabeth Warren dhe Alexandria Ocasio Cortez, shkruan Periskopi. Ndërkohë që Engel i ka fituar vetëm 35,6 për qind.
Engel në anën tjetër mori përkrahjen e veteranëve të partisë si Hillary Clinton, Chuck Schumer e Nancy Pelosi.
73 vjeçari pritet që të pensionohet politikisht pas kësaj humbjeje turpëruese. Ai ishte shumë i lidhur me lobin izraelit por edhe me atë shqiptaro-amerikan. Engel kishte qenë përkrahësi më i madh i Kosovës në Kongres, duke avokuar për lirinë, pavarësinë dhe së fundi edhe ushtrinë e vendit tonë.
Periskopi iu ka mbajtur të informuar vazhdimisht për garën zgjedhore të Engelit./Periskopi





















