Kosovë
Këta janë zëvendësuesit e deputetëve që kaluan në ministritë e Qeverisë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme të nisur nga ora 14:00, ka shqyrtuar dhe miratuar rekomandimin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në lidhje me kandidatët e radhës për deputetë të Kuvendit të Kosovë.
Me formimin e Qeverisë së re me në krye Avdullah Hotin, disa nga deputetët e legjislaturës së kaluar kanë kaluar në poste ministrore, zëvendësimi i të cilëve është miratuar sot.
Siç është bërë e ditur nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo e cila edhe ka formuar koalicionin qeverisës, janë rekomanduar tre zëvendësime.
Visar Hoti të zëvendësojë Driton Selmanajn, Ismet Beqiri të zëvendësojë Arban Abrashin, dhe Faton Bislimi të zëvendësojë Armend Zemajn.
Ndërsa, nga Nisma Socialdemokrate e cila në zgjedhjet e 6 tetorit ishte në koalicion me Aleancën Kosova e Re dhe Partinë e Drejtësisë, është rekomanduar që Arbëreshë Krasniqi ta zëvendësojë Albulena Balaj-Halimajn.
Përveç tjerash, në këtë mbledhje të KQZ’së, është bërë edhe shqyrtimi dhe miratimi i raportit ZRPPC’së për partitë politike që nuk kanë dorëzuar formularin për vazhdimin e regjistrimit.






















