Kosovë
Ish-ministrja Hoxha: Jeta Xharra po vazhdon me shpifje, këtë javë e dorëzojë padinë

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka paralajmëruar se do ta padis për shpifje, Jeta Xharren, pasi sipas ish-ministres kjo e fundit ka shpifur kur ka raportuar se me paratë e taksapaguesve të Kosovës është paguar lobimi në favor të idesë së korrigjimit të kufijve.
Hoxha ka reaguar edhe sot, pas një publikimi të dytë të gazetares Xharra rreth lobit për idenë e korrigjimit të kufijve.
Ish-ministrja ka thënë se Jeta Xharra ka shpifur edhe në shkrimin e radhës dhe se në konsultë me avokatin e saj edhe shkrimin e sotëm do ta përfshijë në padinë që do ta dorëzojë këtë javë.
“Gazetarja Jeta Xharra paska vazhduar prapë me shpifjet e saj edhe me shkrimin e sotëm. Pas konsultave me avokatin tim, edhe ky shkrim do të përfshihet në padi të cilën do ta dorëzoj këtë javë”, ka shkruar Hoxha në faqen e saj në Facebook.





















