Studiuesit britanikë të Universitetit të Oxford thanë se deksametazoni (Dexamethasone) që përdoret që prej viteve ‘60 për të zvogëluar inflamacionin për sëmundje të tilla si artriti, ulë shkallën e vdekjes me rreth një të tretën në më shumë se 2 mijë pacientë të sëmurë rëndë me Covid-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Por a përdoret ky ilaç tek personat e prekur nga COVID-19 në Shqipëri?
Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) pranoi sot se ky është trajtimi i parë që ul vdekshmërinë te pacientët me koronavirus.
“Ky është trajtimi i parë që shfaq uljen e vdekshmërisë te pacientët me Covid-19, të cilët trajtohen me oksigjen apo me ventilatorë”, tha drejtori i OBSH-së, Adhanom Ghebreyesus.
“OBSH-ja do të koordinojë të gjitha analizat e të dhënave, me qëllim që të kemi një kuptim më të qartë të ndikimit të këtij ilaçi. Udhëzimet klinike të OBSH-së do të përditësohen, me qëllim që të tregojnë se si ky ilaç duhet të përdoret për pacientët me Covid-19”, thuhet në deklaratën e OBSH-së.






















