Kosovë
Hoxha i VV-së sulmon aleatin në Shqipëri për Bashkimin Kombëtar

Kreshnik Spahiu, ish kryetari i Aleancës Kuq e Zi që dikur e mbështeste Vetëvendosjen në Kosovë shkaku i promovimit të Bashkimit Kombëtar, dje ka marrë një sulm mjaft të ashpër nga bashkëvendësi i tij, Elvis Hoxha i Vetëvendosjes.
Hoxha, ish këshilltar i ish kryeministrit Kurti, ka sulmuar qëndrimet e Kreshnik Spahiut megjithëse ky i fundit me aktivistët e tij kishte qenë në disa protesta e aktivitete të Vetëvendosjes në Kosovë.
Ai i ka dalë kundër Spahiut pikërisht për shkak të qëndrimeve të tij optimiste se Kosova do të arrinte të fitonte ulëse në OKB dhe njohjen e 5 vendeve të tjera të BE-së që nuk e kanë njohur deri më tash pavarësinë tonë, përcjell Periskopi.
Spahiu nuk kishte arritur mbështetje të madhe për idenë e Bashkimit Kombëtar në Shqipëri. Ndërkohë që kërkesa e Bashkimit Kombëtar në Kosovë disi është zbehur nga ana e Vetëvendosjes e cila më shumë avokon mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës.
Aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë forcë politike përveç z.Spahiu që avokon për temën e Bashkimit me Kosovën. /Periskopi
Ky është statusi i plotë:
Mos e humbni shkrimin gjenial të Kreshnik Spahiut. Është ai kryetari i Aleancës Kuq e Zi. A ju kujtohet? Është i vetmi që nuk e ka marrë vesh ende se shkëmbimi i territoreve është gjithnjë në plan. Është i vetmi që mendon se Thaçi meriton çmimin Nobel. Është i vetmi që mendon se Kosova do të kete ulëse ne OKB dhe njohjen e 5 vendeve evropiane që nuk e kanë njohur deri tani. Është i vetmi që mendon se Serbia do t’i japë Kosovës gjithçka. Madje nuk do të kërkojë as Zajednicën që ia premtoi Dulla. Nuk e ka marrë vesh Kreshnik trimi se edhe zv. Kryeministri i Kosovës voton për zgjedhjen e Vuçiçit.
Ajo që nuk ka marrë vesh Kreshniku më së pari është se Kosova nuk ka më asnjë element të sovranitetit. Tani pritet ta mbrojë populli i saj dhe një opinion i caktuar ndërkombëtar. Natyrisht që nuk bëhet fjalë ta mbrojë Kosovën shteti shqiptar dhe Kreshniku, e as Mero që boton këtë kreshnikun.Është i vetmi qe mendon se menaxhimi i huaj i pasurive të shqiptarëve është shumë gjë e mirë. Për këto arsye, ai nuk është më asgjë.
Është po ky që mendon se Albin Kurti e ka për pushtet dhe egoizëm luftën kundër lojërave me territoret. Sepse kështu e mendoi vetë ai kur thërriste aleancën kuq e zi. I shkreti ngatërrohet shumë. Më mirë të heshtë. Nuk ia merr njeri për keq heshtjen. I shkroi këto marrëzirat sa për të na kujtuar se ekziston ende.





















