Connect with us

Kosovë

Gazetari thotë se Familja Jashari ia ka dëshmuar besnikërinë PDK-së deri tash: Nuk shkon loja në disa dasma

Publikuar

Gazetari i njohur nga diaspora Enver Robelli ka bërë një status në profilin e tij në Facebook duke e kundërshtuar propozimin e Vetëvendosjes për një qeveri teknike tranzitore që do të udhëhiqej nga Murat Jashari, anëtar i familjes Jashari.

Robelli e ka cilësuar si marrëzi propozimin që VV ka bërë për vendosjen si kryeministër të këtij anëtari të familjes Jashari.

Ai beson që kjo familje mund të mbrojë veten duke u distancuar nga “(keq)përdorimi i saj për aksione politike të mesnatës”, përcjell Periskopi.

“Edhe më e rëndësishme është kjo: kushdo nga familja Jashari që ka ambicie politike, le të garojë në zgjedhje, po deshi edhe le të formojë parti politike.” – shkruan më tej Robelli.

Ai po ashtu thotë se kjo parti deri më tani i ka dëshmuar besnikërinë PDK-së, megjithëse nuk dihet se për çka mendon konkretisht kur jep një konstatim të tillë.

Në fakt, shkaku i nominimit të Bekim Jasharit në zgjedhjet lokale të vitit 2017 në Skënderaj, PDK-ja për herë të parë nuk qeveris me atë që ishte quajtur si bastioni i saj.

Robelli ka deklaruar edhe se kjo familje nuk duhet të bëj lojë në disa dasma.

Statusi i plotë:

Ka qenë marrëzi kur PDK e fuste në bordin e aeroportit një anëtar të familjes Jashari. Njohuritë e këtij anëtari për aviacionin mund të kenë qenë të atij niveli si ai tipi që e sheh avionin duke u ngjitur në qiell dhe thotë: “Hajde rrenë, hajde”.

Është marrëzi kur VV propozon që një anëtar i familjes Jashari të bëhet kryeministër. Nuk jemi monarki dhe nuk duhet të jemi shoqëri që meritat familjare i sheh si detyrim për favorizim trashëgimtarësh pa vota.

Familja Jashari – nëse do – mund ta mbrojë veten duke u distancuar nga (keq)përdorimi i saj për aksione politike të mesnatës. Edhe më e rëndësishme është kjo: kushdo nga familja Jashari që ka ambicie politike, le të garojë në zgjedhje, po deshi edhe le të formojë parti politike.

Deri më tani besnikërinë ia kanë dëshmuar PDK-së. Dhe kjo nuk është fare problem në një shoqëri demokratike. Por çka nuk shkon është loja në disa dasma. E shenjtë është sakrifica në luftë, por e shenjtë është edhe e vërteta 20 vjet pas luftës.

NA NDIQ NË FACEBOOK