Sport
FC Prishtina: Sikur Dukagjini të luante për veti e jo për tjerët, ashtu siç luajti sonte, ekzistencën nuk do ta diskutonte

Skuadra e Dukagjinit, edhe pse pësoi katër gola përballë Prishtinës, pati një paraqitje për t’u vlerësuar, duke i vënë në vështirësi kryeqytetasit jo pak herë.
Kjo paraqitje e Dukagjinit në ‘Fadil Vokrri’, ka bërë që FC Prishtina t’i akuzoi në mënyrë aspak profesionale.
Në faqen zyrtare të FC Prishtinës, ku jepet raporti i kësaj ndeshje, thuhet se KF Dukagjini po luan për të tjerët, dhe jo për veten.
“Sikur Dukagjini të luante për veti e jo për tjerët, ashtu siç luajti sonte, ekzistencën nuk do ta diskutonte. Shumë u munduan, por shumë keq pësuan!”, shkruhet në raportin e FC Prishtinës.
Kujtojmë se KF Dukagjini këtë sezon ka grumbulluar vetëm 10 pikë, dhe ekzistencën në Superligë e kanë të pamundur.
Raporti i plotë i FC Prishtinës:
Java XXV: Prishtina – Dukagjini 4-1
U munduan, por keq pësuan!
Prishtinë, 20 qershor 2020 – Sikur Dukagjini të luante për veti e jo për tjerët, ashtu siç luajti sonte, ekzistencën nuk do ta diskutonte. Shumë u munduan, por shumë keq pësuan! Po të kishte kohë do të pësonin edhe më shumë! Futbollistët prishtinas sot treguan karakter të çeliktë dhe nga një fitore e lehtë në letër para ndeshjes, doli një fitore e ëmbël pas ndeshjes.
Me golat e John (30’), Januzit (68’) Korenicës (85’) dhe Ukës (88’) – Prishtina mposhti bindshëm kundërshtarin e rënë nga Superliga e cila megjithëse jashtëzakonisht e motivuar, ia doli të shënonte një herë me Merlakun (43’).
Duhet theksuar het-trikun e Thaqit me asistime, diçka e padëgjuar për futbollin tonë, kurse ende nuk dihet se sa do të mungoj pas lëndimit, mbrojtësi, Miftaraj.
Bardhekaltrit në mesjavë udhëtojnë në Podujevë në derbin rajonal kundër Llapit.






















