Kosovë
Edhe në prag të shkatërrimit të karrierës, Engel nuk harron Kosovën: I kënaqur me zhbllokimin e fondeve nga MCC

Kongresmeni Eliot Engel ka harruar për një moment skandalin e tij të pabesueshëm në ShBA për të uruar Kosovën pas zhbllokimit të fondeve për Kosovën nga MCC.
Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqëuesve të ShBA’së, Eliot Engel ka reaguar pas zhbllokimit të fondeve për Kosovën nga Korporata Sfidat e Mileniumit.
Përmes një reagimi në Twitter, Eliot Engel ka thënë se është i kënaqur që fondet e Sfidat e Mijëvjeçarit janë zhbllokuar për Kosovën, dhe se ato nuk është dashur që të suspendohen fare.
“Jam i kënaqur që Korporata Sfidat e Mileniumit ka rikthyer fondet për Kosovën. Nuk është dashur të suspendohen fare. Kosova i ka plotësuar standardet e vështira të Sfidave të Mileniumit. Ndërprerja e këtyre fondeve për ta detyruar me zor për të ndryshuar politikat e tyre ishte në kundërshtim me vet çfarë përfaqëson Korporata Sfidat e Mileniumit”, ka thënë Engel.
Në anën tjetër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, e ka mirëprtitur vendimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ta riaktivizuar programin e Milenium Challenge Corporation (MCC) në Kosovë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës e mirëpret zhbllokimin e fondeve për Kosovën nga Millennium Challenge Corporation (MCC), pas vendimit tonë për ta hequr masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, si shenjë e vullnetit tonë për t’i dhënë hapësirë dialogut”, theksoi kryeministri Hoti.
Me këtë rast, kryeministri Hoti pohoi mirënjohjen e Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë amerikane për vendin tonë.
Kujtojmë që z.Engel po përballet me një sfidues të vështirë në garën preliminare për të fituar ulësen në Kongres. Ai së fundi ishte xhiruar pa e ditur duke thënë se nuk i bënte fare për protestuesit në ShBA po të mos ishte për garën e tij zgjedhore. Kjo ka provokuar një skandal të rëndë në distriktin e tij në New York.






















