Religjion
E vërteta e betejës së Kosovës nuk ka në vete asgjë mitike

Sot
631 vjet nga Beteja e Kosovës
Milazim KRASNIQI
Në kontekst të këtij
realiteti të hidhur të raporteve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në shekujt
XI-XIV, edhe sa i përket ngjarjes kulmore, Betejës së Kosovës të vitit 1389, si
ngjarje që e fillon rënien e sundimit serb dhe e fillon instalimin e sundimit
osman, nuk mund të kuptohet se si mund të kenë qasje të njëjtë shqiptarët dhe
serbët, sepse arsyet e serbëve për të vajtuar disfatën e tyre janë reale, por
arsyet e shqiptarëve, për ta trajtuar me të njëjtat terma atë betejë, nuk janë
racionale. Sipas mitologjisë serbe, gjaku i car Llazarit, i cili e ka
“shenjtëruar tokën serbe të Kosovës”, është gjak i cili simbolizon serbizmin e
Kosovës dhe prezencën e përhershme të Serbisë në Kosovë. Ata thonë se car
Llazari e ka humbur pushtetin tokësor, por e ka fituar pushtetin qiellor. Kjo
mitologji është produkt i Kishës Ortodokse Serbe dhe i nacionalizmit ortodoks
serbomadh, prandaj me asgjë nuk lidhet me të vërtetat shqiptare.
Nga pikëpamja shqiptare, ajo betejë ose roli i saj
duhet të shikohet në mënyrë kritike, e jo romantike. Shqiptarët nuk mund t’u
konkurrojnë serbëve për t’ua marrë primatin në rolin që kanë pasur në Betejën e
Kosovës. Prandaj, kur shqiptarët flasin për ardhjen e osmanëve në Ballkan, në
këtë rast duhet të flasin për ardhjen e tyre në territoret, të cilat kanë qenë
të sunduara prej serbëve. Më saktë, këto territore kanë qenë të sunduara nga
Llazar Hrebellanoviçi, (pjesa lindore e Kosovës me Novobërdën si qendër), nga
Vuk Brankoviçi (me Prishtinën si qendër) dhe nga Toma Preluboviçi, (ky i fundit
në Epir). Ata ishin sundimtarë në mbeturinat e dinastisë serbe, e cila filloi
të fragmentohej pas vdekjes së Uroshit në Betejën e Maricës, (1371), me ç’rast
u shua trashëgimia nemanjide. Kjo është pika të cilën duhet ta kemi gjithmonë
parasysh, sepse kur kanë ardhur Osmanët në Ballkan, nuk ka pasur një shtet
shqiptar, ose mbretëri shqiptare, të cilën ata ta kenë prishur, por ka pasur
popull shqiptar që ka qenë i pushtuar prej serbëve dhe në një proces të
thelluar asimilimi fetar e kolonizimi etnik.
Atëherë cila është e vërteta lidhur me betejën e
Kosovës? Koalicioni për Betejën e Kosovës ka qenë arritur ndërmjet Llazar
Hrebelanoviqit dhe mbretit të Bosnjes, Tvërtko, të cilët paraprakisht kishin
arritur një marrëveshje për ndarjes e shtetit të Dushanit, i cili kishte
filluar të shkërmoqej. Ajo ndarje e negociuar e trashëgimisë së Dushanit në dy
njësi të mëdha, i mbante ata të lidhur në interesat e tyre për mbrojtjen e
sundimit dhe për eliminimin e pretendentëve të tjerë të fronit perandorak serb.
Pretendent mbi trashëgiminë e Dushanit, ishte edhe Kraleviq Marku, i biri i
mbretit Vukashin, i cili sundonte në Prilep dhe i cili në Betejën e Kosovës ishte
në anën e ushtrisë osmane. Rreshtimi i Kraleviq Markut në anën e osmanëve ka
implikime serioze mbi karakterin e asaj beteje. E para, kjo tregon se nuk ka
qenë një betejë ndërmjet një koalicioni të krishterë dhe një tjetri mysliman,
meqë rreshtimi i Kraleviq Markut në anën e forcave osmane, e rrëzon këtë
pretendim. Pra, rivaliteti ishte edhe ndërmjet vetë serbëve, që po rivalizonin
e po bënin përpjekje që të zhvatnin sa më shumë territore e pushtet mbi
rrënojat e ish shtetit të Dushanit. Mbreti Vukashin nga ana e vet dhe i biri i
tij, Kraleviq Marku, kishin pretendimin se ishin trashëgimtarë të ligjshëm të
shtetit perandorak serb. Në kohën e
sundimit të car Dushanit, Vukashini ishte emërtuar prej tij sekretar i shtetit
dhe me testament ishte emëruar këshilltar i Uroshit, birit të Dushanit.
(Gjuzepe Gelqiq, Zeta dhe dinastia e ballshajve, Shtëpia Botuese 55, Tiranë,
2009, fq. 84) Vdekja e mbretit Vukashin dhe e mbretit Urosh në Betejën e
Maricës në vitin 1371, paraqet ngjarjen më kulmore tragjike të serbëve dhe nëse
do të duhej të mbahej mend ndonjë ngjarje nga ajo periudhë, është pikërisht
beteja e Maricës, e cila i hapi rrugë marshimit osman.
Pas disfatës në Maricë, shumica e sundimtarëve serbë
pranuan vasalitetin ndaj sundimit osman, e ndër ta edhe i biri i mbretit
Vukashin, Kraleviq Marku. Ai si vasal edhe mori pjesë në betejën e Kosovës në
anën e osmanëve, megjithëse arsyet e tij mund të kenë qenë më të thella, se sa
detyrimi i imponuar nga vasaliteti. Kraleviq Marku mund të ketë pasur idenë që
pas disfatës së Llazarit e të Tvërtkos, të shtrijë sundimin e vet edhe mbi
territoret e tyre dhe të rikthejë territoret që ia kishin marrë Ballshajt,
vetëm disa vite më parë. Nëse kjo do të mund të dokumentohej me të dhëna
dokumentesh, atëherë do të rezultonte se beteja e Kosovës ka pasur edhe
elemente të luftës civile ndërmjet vetë serbëve. Këngët epike serbe e theksojnë
elementin e tradhtisë, të Vuk Brankoviqit, (i cili ishte dhëndërr i Llazarit!),
me çka në një mënyrë edhe e krijojnë idenë e një komploti brendaserb. E drejta,
disa vite para Betejës së Kosovës, mbreti Vukashin marshoi kundër Llazarit dhe
dhëndrrit të tij, Vuk Brankoviqit, duke ua marrë një pjesë të territoreve.
(Gelqiq: 84)
Ç’është e vërteta, përçarjet dhe konfliktet ndërmjet
Vukashinit, Lazarit e Vuk Brakoviqit, të plotësuara edhe nga veprimet e Nikolo
D’ Altomanos, pasardhësit të Vojnovit, e lehtësuan marshimin e osmanëve.
Prandaj, më shumë se sa epitetin e një koalicioni unik, ata e kanë epitetin
e rivalëve të përçarë, që ia kishin me
hile njëri-tjetrin. Edhe fakti që menjëherë pas Betejës, trashëgimtarët e
sundimit të Llazarit e pranuan vasalitetin ndaj osmanëve dhe bënë krushqi të
rrufeshme me ta, duke ia dhënë sulltan Bajazitit për grua Milevën, të bijën e
Llazarit, është tregues i atij pasioni për ruajtjen e pushtetit me çdo kusht.
Një element me rëndësi lidhur me Betejen e Kosovës
është abstenimi i dy sundimtarëve më të fuqishëm shqiptarë të asaj kohe, Karl
Topisë dhe Gjergj Balshës I.
Mospjesëmarja e tyre në koalicion i ka brenda vetes dy motive, motivin
etnik dhe atë fetar. Motivi etnik ka të bëjë me përpjekjet e tyre që të
kompaktësohen e të forcohen, pas fillimit të shkërmoqjes së perandorisë serbe
të Dushanit, e cila ua kishte zënë frymën shqiptarëve. Fitorja e Gjergj
Ballshës I kundër Kraleviq Markut dhe marrja prej tij e Prizrenit, kishte
shkaktuar edhe një fërkim etnik në territoret e përfshira në atë konflikt. Nga ana tjetër, “ Ballshajt kishin
përqafuar fenë katolike më 1369”
(Gelqiq:105) gjë që ka pasur implikimet e veta, së paku psikologjike në raport
me ortodoksinë serbe. Poashtu, edhe Karl Topia ishte katolik dhe i lidhur me
lidhje speciale me Venedikun, gjë që poashtu ka pasur implikimet e veta në
qëndrimin e mbajtur ndaj koalicionit serb.
Me rëndësi edhe më të madhe në këtë kontekst është
qëndrimi abstenues ndaj koalicionit ndërmjet Tvërtkos e Llazarit dhe aleatëve
të tyre, që mbajtën dy shtetet më të fuqishme katolike të asaj kohe, Hungaria
dhe Venediku. As njëra e as tjetra nuk e
ndihmuan koalicionin. Edhe ky qëndrim e bën të qartë se nuk mund të bëhet fjalë
për një konflikt ndërmjet feve e qytetërimeve, sepse mospjesëmarrja e shteteve
katolike të kohës, e përjashton motivimin fetar të asaj beteje.
Shteti serb ose shtetet serbe në atë kohë ishin të
dobësuara e nuk ishin lidere të botës krishtere. Përkundrazi, Hungaria dhe
Venediku kishin primatin e shteteve lidere të krishterimit, prandaj pa
pjesëmarrjen e tyre në një koalicion, ai nuk ka mundësi kurrsesi që të quhet
koalicion i krishterë. Në koalicion nuk ka marrë pjesë me asgjë as Raguza,
poashtu një entitet i rëndësishëm dhe i proviniencës katolike e madje as
Kotorri apo ndonjë komunë tjetër bregdetare. Prezenca e Raguzanëve ka qenë e
dukshme në qytetetet e gadishullit ballkanik në atë kohë, por ata janë
rezervuar nga çfarëdo implikimi në anën e koalicionit serb. Bile, është shënuar
një gjest i tyre shumë domethënës edhe nga aspekti fetar: kur Gjergj Balsha I e
mundi dhe ia mori Prizrenin Kraleviq Markut,
raguzanët që jetonin në atë qytet, e kanë pritur me dhurata të vlefshme.
Ndërsa, në ditën e Betejës së Kosovës, sundimtari i Zetës, Gjergj Strazimir
Ballsha II, “ në ditën fatale të betejës së Kosovës, ndodhej pikërisht në
Ulqin”. (Gelqiq:170)
Pra, e gjithë bota katolike e asaj kohe ka abstenuar
nga ajo betejë, duke i lënë serbët ortodoksë dhe vasalët e tyre, që të
rropateshin vetë në konfrontim jo vetëm me osmanët po edhe me renegatët e vet,
si puna e Kraleviq Markut. Mungesa e shteteve dhe e entiteteve katolike të asaj
kohe, pashmangshëm e bën atë betejë më pak të rëndësishme për popujt e rajonit
e edhe për Europën.
Përundimisht, mospjesëmarrja e dy dinastive me
elemente shqiptare, e Ballshajve dhe e Topiajve në atë koalicion, tregon
mospjesëmarrjen faktike të shqiptarëve. Pjesëmarrja e shqiptarëve në radhët e
ushtrisë së Vuk Brankoviqit, ishte pjesëmarrje e të nënshtruarve, që ishin të
detyruar të luftonin nën komandën e sundimtarit të tyre të imponuar. Ndonjë
pjesëmarrës tjetër, si Dhimitër Jonima, (ishte edhe ai vasal i serbëve), ishin
feudalë të vegjël e pa asnjë element të subjektivitetit shtetëror, i cili në
atë kohë, me aq sa ishte, ishte nën autoritetin e Ballshajve dhe të Topiajve.
Po të shikohen rrjedhimet pas Betejës së Kosovës,
tabloja duket edhe më e habitshme: e bija e Llazarit, Mileva u bë gruaja e sulltan
Bajazidit, e bija e Llazarit, Mara ishte
gruaja e Vuk Brankoviqit, ndërsa Helena, poashtu bijë e Llazarit, ishte gruaja
e Gjergji II të Ballshajve. Kjo lidhje
krushqie ndërmjet tyre dhe sulltanit, e përjashton krenarinë kombëtare dhe
fetare nga sjelljet e serbëve, të cilët me të siguruar të vasalitetit nga
osmanët, u treguan shumë entuziastë dhe besnikë të sulltan Bajazidit. Të dy
bijtë e Llazarit, Stefani dhe Velkoja,
luftuan me besnikëri në krahë të sulltan Bajazidit, deri sa ai humbi në Betejën e Ankarasë më 28 korrik
1402.
Lidhur me Millosh Kopiliqin në relacione dhe
dokumente të kohës nuk ka të dhëna konkrete, që do ta prezantonin si një
personalitet historik. Formësimi i figurës së tij më shumë i dedikohet poezisë
se sa historisë, ndërsa dihet që nga Aristoteli se poezia i paraqet gjërat
ashtu si kanë mundur të ndodhnin e jo ashtu si kanë ndodhur. Prandaj, duken
joseriozë ata historianë dhe intelektualë që hulumtimin dhe vlerësimin e
bazojnë në këngët epike, qofshin ato serbe, shqiptare apo të popujve të tjerë.
Në fund të fundit, vrasja e sulltan Muratit, nuk e
ndërroi fatin e serbëve, nuk e pengoi disfatën e tyre, prandaj nuk ka pse të
ekzagjerohet si ngjarje. Janë të shumtë mbretër e perandorë që kanë rënë në
beteja, por edhe ajo inkuadrohet në rrjedhën e përgjithshme të ngjarjeve, e nuk
ka pse të krijohen mite tronditëse, që pastaj e deformojnë pamjen e vërtetë të
historisë. Por, kjo u ndodh popujve të vegjël e të kompensuar, të cilët
vogëlsinë e tyre faktike mundohen ta zëvendësojnë me madhështinë e rreme mitike
të së kaluarës. Serbët janë shembull tipik i kësaj mendësie.
Konsekuencat
e betejës së Kosovës për shqiptarë që kishin qenë nën sundimin serb
Pas çmontimit të sundimit serb, që filloi më 1389,
procesi i sllavizmit të shqiptarëve ndërpritet dhe një pjesë e madhe e tyre
fillojnë e kalojnë në fenë islame. “Ajo që duhet kuptuar mirë nga ky përvijim i
përciptë i ligjit muslimano-osman është se ligji osman nuk ishte i centralizuar
për të gjithë territorin, por ishte në praktikë, një ligj i veçantë
territorial, pasi feja, profesioni,vendbanimi, gjendja shoqërore dhe seksi i
çdo individi përcaktonin ligjin subjekt i të cilit ishin.” (Sugar:19)
Kalimi i hershëm në Islam i shqiptarëve, para së
gjithash ka qenë i motivuar si ikje nga autoriteti i dhunshëm i Kishës
Ortodokse Serbe dhe asaj Greke. Meqë Kisha Serbe e kishte fituar autonominë në
vitin 1219, autoriteti i saj kishte përfshirë edhe shqiptarët ortodoksë të
gjendur nën sundimin serbë së paku që nga viti 1196. Përndryshe, sundimi osman
nuk provokoi ndonjë presion ndaj kishës ortodokse serbe e aq më pak ndaj asaj
greke, i cili do t’i shtrëngonte besimtarët e tyre që të konvertoheshin në fenë
islame. Përkundrazi, toleranca ndaj Kishës ortodokse ishte shumë e madhe.
“Pushtetet e reja që i dha Kishës ortodokse Mehmeti II bënin në fakt që ajo të
ishte një shtet brenda shtetit. Me kalimin e kohës hierarkët filluan ta
konsiderojnë veten si sundues dhe mbrojtës de facto të të krishterëve dhe
njëkohësisht si të vetmin organ për t’u përballur me pushtetin qendror. Kisha i
kreu këto detyra me një shkathtësi të madhe. Jeta e popujve të krishterë të
Ballkanit varej po aq nga efikasiteti i autoriteteve kishtare sa dhe nga ato
osmane. Kjo shpjegon faktin që dallimet e ndryshmet midis tyre, si psh ajo me
mitropolitët e Ohrit e të Pejës, u zhvilluan në një shkallë të gjerë brenda për
brenda kishës. (Sugar:57) Edhe pse Kisha
ortodokse praktikisht ishte shtet në shtet, shqiptarët me shumicë e braktisën
atë. Arsyeja ishte e thjeshtë: meqë nuk kishin arritur të kishin një kishë të
veten, ata e pranuan me shumicë Islamin, në përpjekjet e tyre që të ruanin
përkatësinë etnike, duke iu shmangur asimilimit etnik në serbë, i cili
imponohej përmes konvertimit fetar në ortodoksi. “Kështu “kombi” ose mileti
grek do të përfaqësohej dhe do të drejtohej
tanimë nga Patriarkana e Stambollit. Mosmarrëveshjet midis grekëve do të
zgjidheshin nga gjyqet ortodokse. Së fundi, u lejua ushtrimi i lirë i
veprimtarisë fetare. Në të vërtetë ky status i përgjigjej gjendjes që kishin
zakonisht bashkësitë e krishtera në vendet myslimane, por vendosja e kësaj
situate në shkallë shtetërore dhe njohja e rëndësisë së Patriarkanës përbënin
një ngjarje me rëndësi.” (Mantrani: 93)
Është e qartë se autoriteti aq i madh i kishës greke
e më vonë edhe të asaj serbe, mbetej me fuqi gllabëruese ndaj shqiptarëve,
prandaj kalimi i tyre në Islam ishte më shumë ikje nga ajo politikës
gllabëruese se sa si pasojë e ndonjë politike konvertuese të osmanëve. Po qe se
do të kishin osmanët politika koherente të konvertimit fetar të të
sunduarve, ato do t’u drejtoheshin edhe
popujve të tjerë e jo vetëm shqiptarëve. E vërteta është se ata shqiptarë që
ngelën nën ombrellën e Kishës Ortodokse serbe, me kohë u asimiluan në serbë.
Nga ana tjetër, përmes kompaktësimit etnik të
motivuar nga ndarja e qartë prej serbëve e grekëve, rrritja e popullsisë
shqiptare gjatë periudhës së sundimit osman është evidente si edhe zgjerimi
territorial, i cili arriti të përthekonte edhe tërë Shqipërinë bregdetare,
Greqinë veriore, Maqedoninë e sotme dhe Kosovën e sotme po edhe Serbinë e
sotme, deri në afërsi të Beogradit. Ky ka qenë në fakt një ekspansion
demografik i shqiptarëve, i pari dhe i vetmi në historinë e tyre, pas tkurrjes
tragjike të ilirëve. Po të mos u mirreshin shqiptarëve territoret e tyre në të
cilat jetonin në periudhën e sundimit osman nga Fuqitë e Mëdha Europiane në
Kongresin e Berlinit dhe po të mos përligjej okupimi i territoreve shqiptare
nga ana e shteteve fqinje pas Luftërave
ballkanike dhe pas Luftës së Parë Botërore, gjë që provokoi eksodin
tragjik të shqiptarëve drejt Turqisë, shteti kombëtar shqiptar do të mund të
ishte territorialisht disa herë më i madh se sa është Shqipëria e sotme dhe
vetë kombi shqiptar do të ishte numerikisht disa herë më i madh nga sa është
sot. Përfundimisht, mund të konstatojmë se shqiptarët hynë në shekullin XIV nën
Perandorinë Osmane si një popull i pushtuar, i defaktorizuar, në një proces të
asimilimit etnik e fetar nga serbët, ndërsa në fillim të shekullit XX, kur
dolën prej Perandorisë Osmane, ishin një komb i konsoliduar, që ishte i aftë të
luftojë për shtetin e vet kombëtar, në një rrethim ballkanik dhe evropian shumë
armiqësor.(Shënimet dhe literatura u hoqën për këtë botim.)






















