Sport
Drita, Ballkani, Prishtina e Gjilani – 10 xhiro të mbetura me 4 skuadra në garën për titull – kush ku ka avantazhet?

30 pikë në lojë deri në fundin e sezonit, bëjnë që presioni për skuadrat e pjesës së epërme të tabelës të jetë tejet i madh. Ndonëse 30 pikë në kalkulim janë shumë, hapësirat për gabime zvoglohen.
Një hap fals i Ballkanit gjatë javës së kaluar bëri që tabela e Superligës të njoh një skuadër tjetër – atë të Dritës – e cila tashmë do të ketë peshën e presionit.

Start të vrullshëm pas pauzës obligative që erdhi nga pandemia Covid-19 pati edhe skuadra nga kryeqyteti, Prishtina, e cila në xhiron e fundit demoloi skuadrën e Ferizaj duke e mposhtur me 8 gola të shënuara.
Në anën tjetër, sezonin më të mirë të viteve të fundit po e luan edhe skuadra e Gjilanit, e cila pozicionohet në vendin e katërt në tabelë, por me vetëm katër pikë më pak se liderët e tabelës, të cilët njëkohësisht janë edhe rivalët lokal të Gjilanit.
Situata bëhet akoma më interesante kur shtohet fakti se në fazën e tretë të Superligës, të gjitha këto skuadra do të kenë përballjet direkte. Madje, xhiroja e 30-të e Superligës, ajo që është e fundit, do të ketë përballjen Ballkani – Drita, ku edhe mund të vendoset gjithçka,
Lajmi.net ka kontaktuar profesorin universitar dhe njohësin e Superligës së Kosovës, Ardian Llumnica, për një analizë të situatës aktuale.
Llumnica ka identifikuar pikat e forta dhe ato të dobëta të skuadrave që janë në garën për titullin e kampionit, duke theksuar se në këtë fazë të garave, secili hap i gabuar mund të kushtojë me titullin e kampionit.
“Katër skuadrat pretendente për titullin janë me specifika të ndryshme dhe në fund do të shohim se cila ishte determinuese ndaj tjetrës”, ka thënë fillimisht Llumnica për lajmi.net.
“Drita si kryesuese e njeh rrugën drejt titullit, sepse brenda vetes ka futbollistë që kanë shijuar shumë herë titullin, madje ky grup futbollistësh dinë ta menaxhojnë edhe të qenit në vendin e parë në tabelë. Duhet pasur parasysh gjithsesi se nuk është njësoj sikur të jesh në pozitën e parë, sikur të jesh përcjellës”.
Pikërisht Drita, tani më lidere, me emra si Shabani, Emini, Rexha e Fazliu, që viteve të fundit kanë fituar tituj dhe kanë përvojën e duhur, janë në pozitën e favoritit të lehtë në këtë periudhë, edhe pse vështirë se mund të përdoret fjala favorit në këto situata.
Skuadra që deri më tani ishte lidere, Ballkani, ishte skuadra për t’u mposhtur deri në këtë pikë sezoni. Me tridentin e sulmit që janë akoma të ri në moshë, me dëshirë të madhe, por ndoshta me më pak përvojë, therandasit synojnë ëndrrën. Sa i përket skuadrës së Ballkanit, Llumnica sheh pikat e forta, por që këto pika po japin edhe “anët negative”.
“Ballkani ka energjinë dhe dëshirën, ndonëse mund të jetë në një presion të lehtë, pasi që është folur shumë për ta, dhe kjo sikur ndikoi në motivimin më të madh të kundërshtarëve në ndeshjet ndaj tyre”, ka thënë Llumnica për lajmi.net.
Sigurisht, Prishtina me hovin e vrullshëm pas pauzës së Covid-19, por edhe Gjilani me vendosmërinë e madhe, pritet të jenë në garë deri në fund. Sa i përket formës së kryeqytetasve në dy ndeshjet e fundit, Llumnica nuk beson se kjo është pasqyra e vërtetë. Sipas tij, duhet parë edhe dy xhiro pas pauzës së Covid-19 për të identifikuar formën e vërtetë të skuadrave. Megjithatë, ai nuk heziton të bëjë të ditur se Prishtina ka një fond të jashtëzakonshëm të lojtarëve, dhe mundësia e trajnerit të Prishtinës, Armend Dallku, për rotacione në formacion, do të jetë një nga pikat më të forta të skuadrës.
“Në ndeshjen e dytë dhe të tretë do të shohim formën reale të skuadrave pas pandemisë dhe do të kemi më shumë mundësi për analiza”, ka thënë Llumnica. “Prishtina ka skuadër shumë cilësore, ka fond të pasur futbollistësh, që edhe nëse shkohet në zëvendësime kokë më kokë, vetëm sa rritet cilësia në formacion. Ata janë në formë të mirë dhe kanë bilanc premtues nga këto dy ndeshje që i kanë zhvilluar deri më tani (post Covid-19)”.
Sa i përket një Gjilani që po jep gjithçka për të fituar titullin dhe një vend në garat evropiane këtë vit, Llumnica vlerëson lart konsistencën e treguar nga skuadra, por pret që në këtë xhiro gjërat të ndryshojnë edhe për trajnerin Gentian Mezani. Avantazh i lehtë për Gjilanin do të jetë kalendari, por edhe përvoja në kryesinë e klubit, gjithnjë sipas profesor Ardianit.
“Gjilani i Mezanit, duket sikur problemin më të madh e ka pikërisht këtë të fundit. Gjilani ka ekipën më të mirë në histori të klubit, ka çdo gjë, por jo edhe Mezani i shkoi çdo gjë mirë. Përparësi e skuadrës nga anamorava do të jetë orari me më shumë ndeshje si vendas. Gjithashtu, presidenti Zuka është model në futbollit kosovar. Ai i ka besuar gjatë trajnerit, përkundër të gjithave; eliminimit në kupë dhe hapave fals në rrugën drejt titullit të kampionit”, ishin fjalët e Llumnicës për lajmi.net.
Krejt në fund, njohësi i Superligës së Kosovës ka folur edhe për përballjet direkte që do të kenë skuadrat në raundin e tretë të kampionatit. Siç kemi qenë dëshmitarë në vitet e fundit kur titulli vendosej në fund (rasti Drita – Prishtina apo Feronikeli – Prishtina), Llumnica pret që edhe këtë vit gjithçka të vendoset në fund.
“Të kujtojmë, skuadrat pretendetne që bëjnë hapa fals drejt titullit, tani do ta kenë më të vështirë rikuperimin, sepse jemi në pjesën përfundimtare të kampionatit dhe veç do të futemi në kohën e përballjeve direkte. Ne, nga përvojat e viteve të fundit, e dimë që në ndeshjet e fundit është vendosur titulli, për shkak se në këtë fazë përballen pretendentët. Përballjet direkte do të jenë determinuese sa i përket fituesit të titullit të kampionit. Edhe këtë vit, nëse jo në xhiron e fundit, titulli përcaktohet në xhirot e fundit”, ka thënë Llumnica.
Sa i përket përballjeve direkte, duhet ditur se Ballkani luan në shtëpi kundër Dritës dhe Prishtinës, kurse me Gjilanin konteston tri pikët në udhëtim.
Drita luan nikoqire kundër Gjilanit (stadiumi i njëjtë për të dy skuadrat), kurse i shkon Prishtinës dhe Ballkanit.
Gjilani ndërkohë luan të tri ndeshjet në stadiumin e vet, duke pritur Prishtinën, Ballkanin, por ka edhe përballjen me Dritën, që për ta është terreni i njëjtë, dhe pasur parasysh se tifozët nuk lejohen të jenë të pranishëm, asgjë nuk ndryshon.
Prishtina në anën tjetër luan në shtëpi ndaj Dritës, ndërsa shkon në udhëtim te Ballkani dhe Gjilani.
Pra, me10 xhiro para fundit të sezonit, 4 skuadra janë në garë të ngushtë për titullin e kampionit – Drita lidere (46) numëron 4 pikë më shumë sesa Gjilani në pozitën katër, kurse Ballkani (45) dhe Prishtina (44) mbajnë pozitat dy dhe tre. Lufta për titullin do të jetë më e zjarrtë se kurrë në vitet e fundit. Ky sezon po tregon se Superliga e Kosovës po merr jetë. Kualiteti është në rritje, dhe numri i skuadrave konkurrentë për vendet në Evropë është rritur. /Lajmi.net/TG/






















