Connect with us

Kosovë

Denoncimi i liderëve politikë për gjuhë urrejtëse: Për kënd e kishin fjalën ShBA-të, Gjermania & co.

Publikuar

Shtetet mike të Kosovës, të njohura edhe si vendet e Quintit, (ShBA, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia) kanë dalë me një deklaratë mjaft domethënëse në këtë periudhë mjaft të polarizuar në politikën kosovare.

Në këtë deklaratë, aleatët më të mëdhenj të Kosovës iu kanë bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë që të heqin dorë nga fyerjet dhe kërcënimet ndaj njëri-tjetrit por të merren me sfidat dhe mundësitë e shumta me të cilat përballet vendi ynë, shkruan Periskopi.

“E ardhmja demokratike e Kosovës varet nga aftësia e liderëve të saj që të vendosin shembull pozitiv të një diskursi civil dhe ku respektohet liria e shprehjes. Çdo formë e gjuhës nxitëse, e veçanërisht sulmet personale që provojnë të shtyejnë para qëllimet politike, mund të kontribuojë në një atmosferë që inkurajon akte të dhunës. Njerëzit e Kosovës meritojnë më mirë.” – thuhet në këtë deklaratë të fuqishme.

Periskopi vazhdimisht kishte denoncuar gjuhën e urrejtjes dhe mosdurimit që është përshkallëzuar tepër shumë gjatë muajve të kaluar.

Por, pse ky reagim nga ana e ShBA-ve, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë?

Së fundi, Lëvizja Vetëvendosje ka ftuar një tubim manifestues duke e lidhur datën e çlirimit të Kosovës me datën e festimit të përvjetorit të partisë së saj. Ky tubim mund të rrezikojë shëndetin publik duke pasur parasysh shtimin e rasteve në Kosovë pas lehtësimit të masave kundër Covid-19.

Por, gjuha e urrejtjes dhe mosdurimit është bërë një problem tepër i madh në vend.

Fillimisht, kryeministri Kurti ka përdordur në Kuvendin e Kosovës më 25 mars fjalën “gjakderdhje” duke e akuzuar për provokimin e saj presidentin Thaçi. Ai kishte thënë se ishte gati një marrëveshje sekrete dhe se tani duhej të provokoheshin incidente. Ekzistenca arrëveshja sekrete për “shkëmbim territoresh” ishte mohuar edhe nga ShBA-të, madje zyrtarisht, që dolën me një komunikatë të përbashkët nga Matthew Palmer, Philip Kosnett dhe Richard Grenell.

Më pas, kishte qenë edhe anëtari i partisë së tij, Agim Bahtiri, i cili kishte përmendur fjalën “vëllavrasje”, e për të cilën ishte denoncuar edhe në Prokurori nga presidenti Thaçi.

Por, as presidenti Thaçi nuk ka mundur t’i qëndrojë larg një fryme kaq helmuese. Edhe ai është konfrontuar në disa raste me Kurtin dhe njerëzit e afërm të tij. Thaçi nuk ka përmendur ndonjë term kaq të rëndë, por megjithatë para disa ditësh u duk se sulmoi kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin.

Megjithatë, konfrontimet e ashpra me gjuhë të urrejtjes nuk mbarojnë këtu.

Konfrontime fanatike e nxitëse kishte pasur nga Vetëvendosje sidomos ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), më konkretisht ndaj kryetarit Isa Mustafa dhe kryeministrit aktual Avdullah Hoti.

Ishte zv.kryeministri Haki Abazi ai që e kishte quajtur (ndër tjerash), Hotin edhe si “servil si brisku” ndërsa Mustafën e kishte akuzuar për gjëra të ndryshme në sulme personale.

Reagimi i sotëm nga vendet e Quintit është i drejtuar sidoqoftë për liderët politikë të vendit, dhe duket se target ka në veçanti sidomos ish kryeministrin Kurti por edhe presidentin Thaçi./Periskopi

NA NDIQ NË FACEBOOK