Kosovë
Britania kompleton 2 muaj të plotë pa djegur thëngjill
Britania e Madhe është në prag që ta shënojë një hap domethënës – në mesnatën e të mërkurës bëhen dy muaj të plotë pa djegur fare thëngjill për të gjeneruar energji.
Një dekadë më herët, rreth 40 për qind e elektricitetit të këtij vendi vinte nga thëngjilli; koronavirusi është pjesë e stories, por jo aq.
Kur Britania hyri në karantinë, kërkesa për elektricitet ra; Rrjeti Elektrik Kombëtar u përgjigj duke i hequr impiantet e energjisë prej punës.
Katër impiantet e mbetura që djegin thëngjill ishin mes të parëve që u ndalën, shkruan BBC, përkthen Periskopi.
Gjeneruesi i fundit i thëngjillit doli jashtë sistemit në mesnatën e 9 prillit. Prej asaj dite nuk është djegur fare thëngjill për të prodhuar elektricitet.
Rekordi i mëparshëm pa thëngjill i Britanisë ishte 18 ditë, 6 orë dhe 10 minuta, i vendosur në qershorin e vitit të kaluar.
Kjo tregon se sa dramatik ka qenë transformimi i sistemit të energjisë në këtë vend gjatë dekadës së kaluar.
Një gjë e tillë ka ndodhur për shkak të investimeve masive në energjinë e ripërtërishme përgjatë kësaj kohe.
Dekadën e kaluar vetëm 3 për qind e elektricitetit të vendit vinte prej erës dhe diellit, të cilat shumë njerëz i shihnin si një shpërqendrim të kushtueshëm.
Tash Britania ka industrinë më të madhe të erës në botë, e po ashtu edhe farmën më të madhe të erës. /Periskopi




















