Connect with us

Kosovë

Boiken Abazi koketon me neo-marksizmin: A po i kthehet partia Vetëvendosje të kaluarës si lëvizje e majtë?

Publikuar

Boiken Abazi i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri ka bërë një status në profilin e tij në Facebook e në të cilin ka interpretuar krizat që po ndodhin në vendin e tij. 

Ai ka përmendur protestat në Shqipëri, prej asaj për teatrin e deri te kjo e fundit për provimin e maturës. Të gjitha këto probleme, Abazi ka thënë se e kanë burimin e fajit te “sistemi brutal ekonomiko-politik liberal”.

Këto fjalë nuk janë përmendur tash e disa vite nga Vetëvendosje, të paktën në Kosovë, pasi kjo parti ka qenë e zënë në protesta e angazhime të karakterit nacionalist.

Për më tepër, kjo perspektivë që fajin e vë mbi sistemin dhe jo mbi politikanët e përveçëm ka qenë karakteristikë e angazhimit fillestar të Vetëvendosjes kur dominonte diskursi i të majtës që kritikonte edhe në vendin tonë sistemin e imponuar të liberal-demokracisë.

Nëse kjo nënkupton ndonjë ndërrim në angazhimin e kësaj partie edhe në Kosovë, mbetet të shihet, përcjell Periskopi.

Por, në tubimin e mbajtur të premten, Vetëvendosje nuk mori asnjë flamur kombëtar të Kosovës duke i valëvitur edhe një herë vetëm flamujt kuq-e-zi.

Statusi i plotë: 

Me shembjen kriminale të Teatrit Kombëtar shteti policor mendoi se do shembte edhe shpirtin e protestën. Por protestat nuk janë ndalur prej asaj dite, ato tashmë po mbahen jo vetëm kundër krimit të shumëfishtë te Teatri por edhe kundër abuzimeve seksuale në shkollat publike, jo vetëm kundër padrejtësisë ndaj naftëtarëve të Ballshit, por edhe për çështje të transportit publik, jo vetëm për problemet me provimin e maturës, por edhe kundër ndotjes së ambientit në Labinot nga biznese që kanë monopolizuar tregun dhe ndotin lumenjtë, si dhe kundër HEC-eve që i marrin ujin komuniteteve. Shqipëria po vuan. Protestat e shumta e për tema të ndryshme burojnë nga i njëjti problem. Nuk jemi në tranzicion. Jemi të zhytyr në sistemin brutal ekonomiko-politik neoliberal. COVID-19 nuk na futi në krizë, e thelloi atë. Duhet ndryshim modeli në ekonomi e në politik. Kjo arrihet me organizim dhe bashkim kauzash.

NA NDIQ NË FACEBOOK