Sport
Agjenti flet për të ardhmen e Hysaj

Agjenti i Elseid Hysaj, Mario Giuffredi, ka folur lidhur me të ardhmen e mbrojtësit shqiptar, tashmë kur merkatoja po afron.
Giuffredi ka thënë se opsioni për të vazhduar me Napolin nuk mund të hidhet poshtë, pasi situata është tjetër me Gennaro Gattuso.
“Kur Hysaj kaloi te Napoli, ai fitonte 500 mijë euro, por nuk ishte kontratë e negociuar nga unë. Në sezonin e tij të parë, u bëra agjenti i tij dhe presidenti sillej sikur zotëri i mirë, duke i dhënë kontratë të re dhe duke vlerësuar punën e lojtarit”, ka thënë Giuffredi, transmeton lajmi.net.
“Nuk duhet të harrojmë se nën Sarri, Hysaj ishte një nga mbrojtësit e krahut më të mirë në Serie A.”
“Tani me Gattuso po shohim Hysajn e kohës së Sarri, kur ai pranonte oferta nga Bayern Munich. Gattuso dhe De Laurentiis duan ta mbajnë në skuadër. Kemi folur për rinovimin, por nuk është problem i parave: ka të bëjë me atë, nëse do të qëndrojë ose jo”, shtoi mes tjerash agjenti i Hysaj.
Hysaj më parë është lidhur edhe me skuadra si Atletico Madrid e Chelsea. Mbetet të shihet se cilët do të jenë hapat e tij në merkato. /Lajmi.net/






















