Sipas njoftimit, pesë pacientë do të lirohen për t’u vetizoluar në shtëpi, 31 të tjerë janë në gjendje stabile, 21 duke u trajtuar me oksigjenoterapi, kurse dy pacientë në gjendje më të rënduar, sidomos njëri është në gjendje kritike për jetën.
“Jemi në pritje te rezultateve për 6 raste. Sot lirohet një rast i cili ka rezultuar negativ në testimin për COVID-19”, thuhet në njoftim.
Ditëve të fundit është duke u rritur vazhdimisht numri i të prekurve me koronavirus. Dje u regjistruan 141 raste, kurse pardje 129. Gjithsej në Kosovë, janë shënuar 1.756 raste, 968 janë shëruar, kurse 34 kanë vdekur.
E në anën tjetër, krahas situatës epidemiologjike Ministria e Shëndetësisë sot ka marrë vendime të reja në funksion të parandalimit të pandemisë COVID-19.
Në këto masa bëjnë pjesë edhe obligimi i institucioneve publike dhe private të organizojnë punën në distancë sociale brenda objekteve të punës ose të reduktojnë stafin me organizim të punës nga shtëpia.
Gjithashtu, institucionet publike dhe private janë obliguar të organizojnë punën në përputhje me manualin e parandalimit të koronavirusit dhe gjithashtu të respektohen rreptësisht masat kundër koronavirusit (maskat dhe dorëzat).
Institucionet e qeverisë dhe të inspektoriateve respektive janë obliguar të marrin hapa konkret dhe të aktivizohen për mbikëqyrur situatën në terren se sa po respektohen rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.





















