Kosovë
Deputetëve u kërkohet të mos e votojnë propozimin e Qeverisë për tejkalim të deficitit buxhetor

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Hekuran Murati u ka kërkuar deputetëve të mos votojnë propozim-vendimin e qeverisë për ndryshimin dhe tejkalimin e përkohshëm të rregullave fiskale të deficitit buxhetor. Pasi i njëjti sipas tij nuk ka kaluar në komisionin që i mbikëqyrë financat e shtetit.
Murati në seancën plenare që po mbahet të enjten tha se shuma prej 250 milionë euro në rritjen e deficitit nuk janë të justifikueshme.
“Kemi ardhur në përfundim si komision që kërkesa nuk është e bazuar dhe justifikuar mjaftueshëm për të justifikuar rritjen e deficitit në vlerë 6.5 përqind. E në shifra përkthehet 485 milionë euro, marrë parasysh që ndikimi I deritanishëm i pandemisë në të hyrat buxhetore ka qenë vetëm 85 milionë euro. Pra kemi të bëjmë me 400 milionë euro shtesë kërkesë prej të cilave rreth 150 milionë euro veçse kanë qenë, lejohen dhe shuma tjetër prej 250 milionë euro nuk ka qenë e justifikuar. Si rrjedhojë komisioni e ka hedhur në votimin dhe propozim vendimi nuk e ka marrë votat e mjaftueshme. Andaj I rekomandohet kuvendit të mos votojë këtë propozim vendim”, tha ai
Ndërkaq, ministrja e Financave, Hykmete Barjami në reagimi ne saj karshi kryetarit të komisionit, tha se një propozim-vendim i tillë ka qenë edhe tek qeveria Kurti.
Ajo theksoi se nëse dëshirohet të implementohet pako emergjente duhet lejuar të bëhet ky tejkalim dhe ndryshim i deficitit buxhetor.
“Një vendim, propozim-vendim i tillë e ka sjell edhe qeveria Kurti. Ju e dini që pako emergjente fiskale nuk është implementuar në tërësi, pikërisht në mungesë të financave. Nuk kanë qenë të planifikuar në buxhet për menaxhimin e pandemisë”, tha ajo.





















