Kosovë
Tahiri: Katër rastet e reja janë familjarë të dy rasteve të ardhura nga Suedia

Kryetari i Vushtrrisë ka thënë se katër rastet e reja pozitive në këtë komunë janë familjarë të dy rasteve të ardhura nga Suedia që kanë rezultuar pozitivë për Covid-19 para disa ditëve.
Ai ka thënë se ndonëse është rikthyer virusi në Vushtrri nuk ka vend për panik, pasi situata është në kontrollë.
Tahiri ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë distancën dhe të gjitha masave që janë rekomanduar nga institucionet.
Postimi i plotë i Xhafer Tahirit në Facebook:
Të dashur qytetarë të Vushtrrisë,
Sot nga Qyteti i Vushtrrisë janë testuar 12 qytetarë për Covid 19. Nga këto testime, 4 kanë rezultuar pozitiv, që janë raste kontakti (familjar) të dy rasteve të ardhur nga Suedia që rezultuan pozitiv para pak ditësh!
Për të gjithë ne është e dhimbshme rikthimi i virusit në qytetin tonë, por nuk ka vend për panik, Shtabi Emergjent e ka situatën në kontrollë. Ne duhet të mësohemi të përshtatemi me virusin në mesin tonë dhe të mbrohemi nga infektimi duke mbajtur distancën dhe duke ju përmbajtur masave të rekomanduara nga institucionet e Republikës.





















