Sport
Stadiumet pa tifozë po bëjnë që gjithçka të ndryshojë në futboll

Ligat tjera evropiane gjithashtu kanë njoftuar një kthim, dhe ky është një lajm që kënaq tifozët e futbollit. Por, futbolli do të luhet një kohë të gjatë pa tifozë në Evropë.
Të gjithë do të kenë mundësinë të shikojnë futboll, por nga shtëpitë e tyre, sepse stadiumet do të jenë boshe.
Futbollit do t’i mungojë atmosfera e tifozëve, dhe klubeve që luajnë në terrenet e tyre po ashtu mbështetja.
Kjo ka shtruar çështjen nëse avantazhi i fushës në shtëpi do të luajë të njëjtin rol si më parë.
Një studim i bërë së fundi në pesë ligat kryesore evropiane, thotë se skuadrat vendase në këto liga kanë fituar 46 për qind të ndeshjeve, kur stadiumet kanë qenë me tifozë.
Mysafirët kanë festuar në vetëm 26 për qind, ndërsa ndeshjet kanë përfunduar baras në 28 për qind të rasteve.
Avantazhi i fushës zhduket kur nuk ka tifozë në tribuna
Ky hulumtim ka marrë mostër edhe të rasteve kur ndeshjet janë luajtur pa tifozë, kryesisht për shkak të penalizmit të ekipit vendas ose në rrethana tjera specifike.
Pjesa dërrmuese e ndeshjeve janë luajtur në ligat franceze dhe italiane, një është luajtur në Spanjë, ndërsa nuk ka të dhënë për ndeshje të luajtur pa tifozë në Gjermani dhe Angli.
Rezultatet janë jashtëzakonisht interesante. Probabiliteti që skuadra vendase të fitojë në ndeshje pa tifozë bie nga 46 në 36 për qind, ndërsa probabiliteti i mysafirëve rritet nga 26 në 36 për qind.
Kjo do të thotë se mungesa e tifozëve do të bëjë që nikoqiri të humbas avantazhin e fushës, dhe të tre rezultatet janë pothuajse të mundshme njësojë./Lajmi.net/






















