Connect with us

Lajme

Skender Buzaku: Shkarkimi është vetëm një regji e Sulejman Rexhepit

Publikuar

Ish sekretari i Myftinisë së Shkupit, Skender Buzaku, i cili vitin e kaluar pati përplasje me BFI-në pasi që pretendonte se kishte mbledhur votat e Riasetit (organit më të lartë të BFI-së), dhe e kishte shkarkuar reisin, tanimë të shkarkuar Sulejman Rexhepi, vlerëson se shkarkimi i sotëm i Rexhepit është regji me qëllim që sipas tij, të mbulohet krimin që e kanë bërë bashkë.

“Është shkarkim politik dhe me regji të Sulejman Rexhepit që të kthehet prapë në Bashkësinë Fetare Islame pas disa muajve. Asnjëherë nuk kam shpresë se këta që e kanë shkarkuar mund të bëje ndonjë reformë. Këta janë me Sulejman Rexhepin. Kjo regji shpresoj që të demaskohet, është bërë që të mbulohet krimi, pasi që aty ka krim të madh. Me qëllim që të mos i përfshijë edhe ata ky turp i ky krim që e kanë bë, e kanë pasur patjetër që ta shkarkojnë”, thotë Buzaku për Portalb.mk.

Sipas tij, tanimë ushtruesi i detyrës kryetar i BFI-së, Shaqir efendi Fetahu, juridikisht nuk ka pozitë të vlefshme pasi që për pozitën e kryetarit ka kontest gjyqësor përpara Gjykatës.

“Ne ende jemi në procedurë gjyqësore, nuk mundet që dikush që është shkarkuar të shkarkohet prapë. Po presim vendim, ende nuk kemi ndonjë njoftim. Emërimi i ushtruesit të detyrës, nuk parashihet në Kushtetutën e Bashkësisë Fetare Islame. Këtë ushtrues detyre nuk munden ta regjistrojnë askund, as në Regjistrin Qendror, askund. Derisa ka një procedurë gjyqësore, nuk mund të emërohet dikush tjetër kryetar i BFI-së, duhet njëherë të përfundojë, pastaj të iniciohet procedurë. Aktet mund t’i miratojnë, por s’mund t’i ekzekutojnë me asnjë organ shtetëror, pasi që kryetar ende është Sulejman Rexhepi”, thotë Buzaku.

Në prill të vitit të kaluar, Buzaku, tha se ai do të jetë kryetar i ri i BFI-së, sipas vendimit gjyqësor që ai e posedon. Selia e BFI-së ishte e rrethuar me polici.

Reisi Rexhepi asokohe menjëherë e mblodhi Riasetin dhe kërcënoi se do të kyçet në propagandën kundër pushtetit nëse nuk ka reforma gjyqësore në vend, pasi që, sipas tij, me proces gjyqësor të falsifikuar iu është marrë selia dhe është shkarkuar ai, si dhe kërkoi ndëshkim për gjykatësen.

BFI-ja askohe akuzoi dhe nxori disa dokumente me pretendimin se Buzaku i ka falsifikuar dokumentet. MPB hapi procedurë, por pa epilog. Pastaj, të gjithë myftitë dolën me deklarata se nuk e kanë votuar Buzakun,

Buzaku i mohoi akuzat e Bashkësisë Fetare Islame se ai i ka falsifikuar dokumentet, nëpërmjet të cilave është shpallur kryetar i BFI-së. Ai gjithashtu i ka mohuar edhe deklaratat e anëtarëve të Rijaseit të BFI-së, të cilët dolën me nënshkrime se ata nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen, në të cilën thirren dokumentet e vendimit të Gjykatës, duke theksuar se deklaratat e tyre janë dhënë pasi që janë frikësuar nga Rexhepi.

Më 10 prill, vendimi i Gjykatës Shkupi 2 ku emërohet Skender Buzaku kryetar i Bashkësisë Fetare Islame, u anulua nga Gjykata e Apelit në Shkup. Gjykata e shkallës së dytë e pranoi ankesën e Rexhepit, ky i fundit e vazhdoi mandatin. Rasti është kthyer në rigjykim.

Sot rijaseti i Bashkësisë Fetare Islame ka shkarkuar Sulejman Rexhepin nga posti i kryetarit të BFI-së, pas një sërë skandalesh që shpërthyen në opinion. Vendimi u morr nga dy të tretat e myftinjve të Bashkësisë Fetare Islame ndërsa bazohet në nenin 36 të kushtetutës të këtij institucioni, në të cilin veç tjerash thuhet se kryetari i BFI-së shkarkohet kur “nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI, kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së”.

Ne të nënshkruarit më poshtë në bazë të Nenit 36 dhe 58 të Kushtetutës së BFI-së, që e përbëjnë më shumë se 2/3 e anëtarëve të Rijasetit të BFI-së, vendosëm njëzëri shkarkimin e Sulejman Rexhepit nga posti Reisul Ulemasë, kryetar i BFI-së. Deri në përgatitjen e kushteve për zgjedhje të reja për ushtrues detyre, kryetar i BFI-së është caktuar myftiu i Gostivarit Shaqir Fetahu – u shpreh Shaqir Fetahu, myfti i Gostivarit.

Disa veprime të fundit të Rexhepit kishin shkaktuar reagime të shumta në opinion, të cilat edhe pse nuk përmenden në vendimin e rijasetit mund të jenë kyçe në vendimin për shkarkimin e tij nga posti, siç është edhe vendimi i tij personal i martesës me një grua shumë më të re se ai në moshë.

Reagime në opinion nxiti dhe deklarata e tjetër e Rexhepit, në ditën e Bajramit, kur e shpalli të vdekur koronavirusin.

Nga sot sëmundjen COVID-19 e shpalli të vdekur. Zoti është me ne, dhe kur Zoti është me ne, jemi më të fuqishëm – u shpreh Sulejman Rexhepi, kryetari i shkarkuar i BFI-së.

Kjo deklaratë u kundërshtua ashpër nga drejtuesit e institucioneve shëndetësore. Ministri Venko FIlipçe kishte thënë se Virusi korona nuk ka vdekur dhe së të kihet kujdes nga prononcimet e tilla.

Sulejman Rexhepi, në krye të BFI-së erdhi në vitin 2007 ndërsa si zgjedhja e tij ashtu edhe ushtrimi i mandatit gjatë tërë kësaj periudhe është përcjell me përplasje e akuza nga më të ndryshme mes grupeve të ndryshme brenda këtij institucioni fetar islam.