Kosovë
Shokuese se si janë shkatërruar dhe po shkatërrohen pyjet në Komunën e Podujevës (foto/video)

Bjeshkët e Shatoricës afër fshatrave Murgull dhe Bellasicë të Komunës së Podujevës po shndërrohen në shkrumb e hi.
Fotogratë e publikuara së fundmi, shfaqin pamjen tmerruese të asaj që është shkaktuar nga dora e njeriut. Atje, janë prerë pothuajse të gjithë drunjtë dhe është djegur çdo gjë.
I indinjuar me këtë fakt, është shprehur edhe alpinisti Nazmi Hasanramaj, i cili ka publikuar fotografitë e këtyre bjeshkëve nga vizita që kishte bërë atje të dielën që shkoi.
“Këto janë pamjet e Bjeshkëve të Shatoricës afër fshatrave Murgull dhe Bellasicë, Komuna e Podujevës. Të dielën i vizituam me disa miq dhe është shokuese ajo që ka ndodhur dhe është duke ndodhur me pyjet, dikur të harlisura !! Është prerë dhe djegur çdo gjë; krejt çka të sheh syri janë djerrinat e prera, traktorët dhe zhurma e moto-sharrave”, ka shkruar ai.
Hasanramaj ka potencuar faktin se familjet e pakta që kanë mbetur në Murgull janë lënë pa kurrfarë kujdesi, pa burime të ekzistencës dhe pa mundësi financiare për zhvillimin e çfarëdo biznesi
Ai ka akuzuar Komunë e Podujevës dhe Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik se kanë hequr dorë nga kjo zonë.
“Sa për informacion; rreth 5 km vi ajrore në veri-lindje fillojnë bjeshkët dhe fshatrat e Serbisë (Llukova, Paçarada, Bllaca, Vitosha, Bërbatovci, Zhegrova..etj); aty shihen vreshta, pemishte, bagëti, pyje të dendura, si dhe një qendër e njohur ballkanike e pushimit dhe rekreacionit (Llukova)… komplet botë vjetër. Ne në Kosovë.. kemi shku për lesh!”, ka shkruar Hasanramaj pasi ka shpërndarë fotografitë dhe video të realizuara nga gazetarja Adriana Kabashi/Periskopi/


























