Kosovë
“Shkon Lumezi, vije Elezi”, Kurti ‘nuk e zuri më me gojë’ emrin e ish prokurorit

Emri i ish-prokurorit Elez Blakaj ishte lakuar shumë herë gjatë fushatës së fundit elektorale nga tanimë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që në atë kohë synonte ardhjen në pushtet. Kurti e personifikonte Blakajn si tregues të sistemit të brishtë të drejtësisë në vend, nga ku kishte premtuar edhe kthimin e tij në Kosovë. Pas më shumë se 100 ditëve në pushtet, Kurti as nuk e ka zënë në gojë më emrin e Elez Blakajt.
Elez Blakaj, ish-prokuror në rastin “Veteranët”, nga i cili më pas ishte tërhequr, po vazhdon të qëndrojë në Amerikë. Kthimin e Blakajt në Kosovë e kishte përmendur disa herë lideri i VV-së, Albin Kurti që tanimë mbanë postin e kryeministrit, shkruan lajmi.net.
“Le të shkojë Lumezi, le të vije Elezi”, thoshte Kurti teksa paralajmëronte se ish-prokurori Elez Blakaj, mund të rikthehet në Kosovë me ardhjen e VV-së në pushtet, dhe se të njëjtit mund t’i jipet një pozitë e rëndësishme në sistemin prokurorial të Kosovës.
Sidoqoftë, tanimë kanë kaluar më shumë se shtatë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, e më shumë se 100 ditë që nga formimi i qeverisë Kurti. Gjatë tërë kësaj periudhe, emri i Elez Blakajt nuk është përmendur as edhe njëherë nga Kurti, ani pse i njëjti ishte shndërruar në kauzë të Vetëvendosjes.
Madje, Vetëvendosje në verën e vitit 2018, përkrahte dhe merrte pjesë edhe në disa protesta të organizuara kundër Lumezit, e që ndërlidheshin me rastin e Elez Blakajt.
Për këtë çështje nuk është deklaruar as Blakaj. Postimi i tij i fundit në Facebook, është një replikë drejtuar kryeprokurorit Aleksander Lumezi, me të cilin ai kishte pasur përplasje pikërisht për rastin e “Veteranëve”.
Megjithë thirrjet e zhurmshme kundër Lumezit, e deklaratat e shpeshta për Elez Blakajn, Vetëvendosje deri tani nuk e ka ndërmarrë asnjë hap për kthimin e tij në Kosovë. Madje, që nga ardhja në pushtet, akterë të qeverisë Kurti kanë pasur edhe takime me kryeprokurorin aktual, Aleksander Lumezi.
Ndryshe, ish-prokurori, Elez Blakaj ishte tërhequr nga rasti i “veteranëve” e cila po hetohej nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. Hetimet e Blakajt kishin përfunduar me aktakuzë kundër 12 anëtarëve të Komisionit Qeveritar për Verifikimin e Statusit të Veteranit.
Aktakuza në fjalë ishte përshkruar me shumë gabime në listën e emrave që prokuroria pretendonte se kishin përfituar jashtëligjshëm pensione.
Lajmi.net ekskluzivisht kishte publikuar të gjithë emrat e aktakuzës së prokurorisë, të cilët pretendohej se kishin përfituar kundërligjshëm pensione në emër të veteranit.

















