Kosovë
Sa ishte i pasur këshilltari i Kurtit që u bë ‘hit’ në dy ditët e fundit?

Këshilltari i kryeministrit në detyrë Kurti me emrin Driton Tali është bërë dy ditët e fundit një ndër personazhet më të përfolura në rrjetet sociale pas deklaratave të tij ndaj familjes së Presidentit Thaçi dhe komenteve të Blerim Latifit për të.
Tali tregoi sot se e kishte “kurdisur” një padi ndaj pretendimeve të Latifit që dje tha se e kishte parë me sytë e tij këshilltarin e Kurtit derisa po priste me orë të tëra për një takim pesëminutësh me Thaçin që atëkohë ishte kryeministër.
Sidoqoftë, Tali kishte të kaluar politike edhe para se të bëhej këshilltar i Albin Kurtit, shkruan Periskopi.
Ai kishte qenë edhe deputet i Kuvendit të Kosovës, të paktën në një mandat, prej janarit të vitit 2008.
Por, cila ishte pasuria e tij?
Tali e ka deklaruar pasurinë e tij vetëm një herë, në mars të 2010-s. Në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK) ai ka deklaruar një shtëpi 250 metra katrorë me vlerë 200 mijë, por ajo që bie në sy është shuma e parave të kursyera ndër vite dhe e cila shkon në 125 mijë.

Po ashtu, ai ka deklaruar para të gatshme në vlerë të 25 mijë eurove. Megjithatë, z.Tali nuk ka treguar se cilat ishin punët e tij në të ashtuquajturin “Perëndim”.


















