Kosovë
Reagon Nagavci: Time Kadriaj ta heqë menjëherë postimin, ia shkeli të drejtat pacientëve

Nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, i ka kërkuar deputetes Time Kadriaj që ta heqë menjëherë postimin ku ka publikuar disa emra të personave të karantinuar, për të cilët Kadriaj tha se janë aktivistë të Vetëvendosjes dhe se janë amnistuar prej karantinës nga ministri Arben Vitia veç pse janë të partisë së tij.
Por, këtë e mohoi Nagavci duke thënë se ata kanë kaluar kontrollet mjekësore nga një ekip i mjekëve dhe janë dërguar për në vetizolim si shumë qytetarë të tjerë.
Nagavci po ashtu i drejtoi akuza për shkelje të privatësisë të këtyre personave që janë të mbrojtura me ligj.
“Në përpjekje për të goditur pa të drejtë ministrin e shëndetësisë, zt. Arben Vitia, deputetja e AAK Time Kadrijaj, paska publikuar një doc. zyrtar me të gjitha të dhënat e pacientëve përfshi dhe të dhënat e diagnozës shëndetësore”.
“I njëjti postim qenka publikuar si lajm dhe nga disa media online. Në dokument shihet se shënon qartë se vendimi është marrë pas konfirmimit dhe vlerësimit shëndetësor të ekipit specialistik, se të gjithë personat e liruar nga karantina duhet të shkojnë në vetizolim dhe të respektojnë të gjitha masat e rekomanduara nga IKSHP. Kjo nuk e ka penguar as znj. Kadrijaj e as disa portale të shpërndajnë jashtëligjshëm këtë informatë”.
“Përpos që është mjeke me profesion dhe do duhej ta dinte se kjo deklaratë bie ndesh me etikën profesionale, si deputete znj. Kadrijaj do duhej të dinte se publikimi i këtyre të dhënave është i ndaluar edhe me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale”.
“I bëj thirrje Znj. Kadrijaj që menjëherë të largoj postimin dhe të kërkoj falje për këtë gabim. Të njëjtën gjë duhet ta bëjnë dhe mediat që e kanë publikuar të njëjtën”.
Nagavci shtoi se beteja politike dhe ambicia për pushtet nuk duhet të ndikojnë në humbjen e plotë të arsyes dhe etikës,.
“Ju lutem të kurseni të paktën personat që as nuk janë të përfshirë e sidomos pacientët e kategoritë më të ndjeshme”.






















