Kosovë
Reagim abnormal nga Ministria e Shëndetësisë për vdekjen e 25 vjeçarit: Përsërit se ai nuk posedonte vërtetim mjekësor

Një reagim abnormal e i çuditshëm sapo është lëshuar nga faqja e Ministrisë së Shëndetësisë në Facebook e në të cilin demantojnë një dokument që qartë tregon se i ndjeri Agon Musliu që vdiq dje te Konviktet duke qenë në karantinë kishte pasur vërtetim mjekësor.
Në dokumentin e siguruar nga Periskopi dhe mediat e tjera shihet se si aty ndodhej edhe emri i të ndjerit Musliu, ku në një kolonë thuhej se kishte probleme shëndetësore e për këtë posedonte edhe vërtetim mjekësor.
Ministria nuk mohon se dokumenti në fjalë ekziston, por thotë se ai nuk ka dalë nga zyret e kësaj ministrie. Më tutje, aty deklarohet edhe se i ndjeri nuk ka pasur dokumente që vërtetojnë gjendjen e tij shëndetësore dhe se madje i është bërë një ekzaminim mjekësor.
“Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë se ky dokument nuk është i MSh-së siç po manipulohet me të dhe se i ndjeri, pavarësisht çfarë shkruan në listën e Ambasadës, me rastin e riatdhesimit në Kosovë, nuk ka prezantuar asnjë vërtetim mjekësor.” – shkruhet në reagim, përcjell Periskopi.
Më tej, kjo ministri në reagimin e saj pretendon se i ndjeri Musliu nuk ka raportuar dhe nuk ka treguar për asnjë problem shëndetësor.
Të gjitha këto pretendime të kësaj ministrie do të duhej të hetoheshin në mënyrë të përpiktë nga Prokuroria e vendit ashtu sikurse dokumenti i lëshuar nga Ambasada e Kosovës ku thuhet se i ndjeri posedonte vërtetim, ashtu siç posedonin edhe disa të tjerë në listë. /Periskopi
Statusi:
Reagim nga Ministria e Shëndetësisë
MSh reagon ndaj manipulimeve në publik me dokumente rreth rastit të A.M.
Prishtinë, 4 maj 2020
Duke e parë keqpërdorimin që media dhe individë të caktuar janë duke i bërë një dokumenti orientues të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani, përkatësisht listës së të riatdhesuarve nga Gjermania të datës 2 maj 2020, ku figuron edhe emri i të ndjerit A. M. qe vdiq më 3 maj, dhe për në cilin në këtë dokument të Ambasadës shkruan se “prob. shëndetësore, posedon vërtetem”, Ministria e Shëndetësisë dëshiron të sqarojë se ky dokument nuk është i MSh-së siç po manipulohet me të dhe se i ndjeri, pavarësisht çfarë shkruan në listën e Ambasadës, me rastin e riatdhesimit në Kosovë, nuk ka prezantuar asnjë vërtetim mjekësor.
Ministria e Shëndetësisë posedon raportet mjekësore të të ndjerit, të përpiluara nga mjekët në pritje që për shkaqe të etikës mjekësore dhe ruajtjes së privatësisë nuk do ta bëj publik, ku gjatë marrjes së të dhënave anamnestike, në praninë e mjekut përgjegjës, me rastin e mbërritjes në Kosovë, i ndjeri nuk ka raportuar asnjë lloj sëmundjeve apo shqetësim shëndetësor.
Për më tepër, MSh e ka edhe raportin me shkrim të profesionistit shëndetësor që e ka vizituar pacientin, të vërtetuar edhe përmes faksimilit mjekësor në të cilin, thuhet se pacienti nuk ka raportuar dhe as treguar për ndonjë sëmundje apo problem shëndetësor.
Po ashtu, profesionisti shëndetësor e ka konfirmuar edhe “post factum” se i ndjeri gjatë kontrollimit mjekësor nuk ka deklaruar asnjë problem apo vërtetim shëndetësor.
Prandaj, Ministria e Shëndetësisë ri-përsërit se ka kërkuar nga Prokuroria e shtetit që të bëjë hetim të plotë rreth këtij rasti, ndërkohë që kërkon gjithashtu në të njëjtën kohë edhe hetim ndaj atyre që duke manipuluar me dokumente që nuk janë lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, po keqpërdorin tragjedinë e një të riu për qëllime të ulëta.





















