Connect with us

Kosovë

Raportimi i sikletshëm, me djalin pas shpinës, i gazetares Tuhina

Published

on

Të jesh gazetare dhe nënë, në kohë pandemie, kur duhet raportuar nga karantinimi në shtëpi, nuk është e lehtë. Këtë e dëshmoi goxha mirë Gjeraqina Tuhina.

Gazetares kosovare që jeton në Bruksel i ndodhi diçka interesante, të mërkurën, kur në një lidhje direkte me transmetuesin publik, po i informonte gazetarët në lidhje me Samitin e Zagrebit.

Teksa po bënte diçka të tillë, në dhomën ku raportonte u fut djali i saj. Këtij nuk po i interesonte ajo çfarë thoshte e ëma, por donte ta përqafte dhe të shihte çfarë po bënte ajo. Pa ditur gjë, ai u bë pjesë e një lidhje direkte të rëndësishme gazetareske.

Çuni u shfaq insistues dhe për asnjë moment nuk pranoi të largohet nga e ëma.

As Tuhina nuk insistoi ta largojë djalin. Raportimin e çoi deri në fund, por jo pa siklet, megjithatë.

“Të gjithë energjinë e kisha të koncentruar që mos të devijoj gjatë trajtimit të temës. Ky ishte halli im primar. Për Uliksin e dija se çkado që të bëja nuk do ia ndërroj mendjen. Është fëmijë katër vjeç me karakter të jashtëzakonshëm. Andaj sapo e dëgjova që u hap dera e dhomës, e dija se çka po me pret”.

“Krejt qëllimi im ishte që të mos dështoj para shikuesit, sepse gjithmonë e ndjej barrën e përgjegjësisë për secilën fjalë që them në ekran, pavarësisht rrethanave”, tha ajo për klankosova.tv.

Ajo çfarë bëri, Uliksit i ka pëlqyer, me gjithë që mund të mos e ketë kuptuar çfarë bëri kur hyri në transmetim direkt të së ëmës.

“Unë nuk i thashë absolutisht asgjë. Thjesht vetëm e përqafova fort. Ndërsa, ai më pyeti se kur do e bëjmë këtë gjë prapë”.

Pavarësisht se e ka edhe vajzën shtatëvjeçare Anais duket se situatat e tilla ndërlidhen disi me Uliksin, pasi kjo sfidë nuk ishte e para që Tuhina pati me të birin.

“Një herë ishte akoma foshnjë dhe sapo kishte nisë me hapat e para. Më erdhi pranë tavolinës derisa unë po flisja live. Ishte shumë i vogël për të hipur në karrige apo tavolinë, por mjaft i madh për të bërë sherre. Unë vazhdova të flas para kompjuterit, ndërsa me dorë ia lëmoja kokën duke tentuar që ta mbaj të qetë. Mendoj se ai moment ka qenë shumë më shumë i sikletshëm se ky i fundit”, tha ajo.

Por, këto dy situata, ndonëse të pazakonta, nuk ishin më interesantet që rastisën të lidhen me raportimet direkte të Tuhinës dhe përfshirjes së djalit të saj, në këtë punë. Në fakt, diçka e tillë ndodhi edhe m’u në ditën kur Uliksi lindi, më 22 mars 2016. Veçse, atë ditë, situata ishte ekstremisht e jashtëzakonshme.

“Por, asnjë përvojë nuk do krahasohet me ditën kur ka lindë Uliksi. Më 22 mars 2016 ndodhën sulmet terroriste në Bruksel. Kjo ngjarje mua më gjeti në spital në pritje të lindjes së tij. Që nga orët e hershme të mëngjesit u detyrova të lajmërohem me më të rejat. Praktikisht kam raportuar me telefon edhe nga salla e lindjes. Lajmërimi im i fundit ishte me telefon për lajmet e mesditës në RTK, ndërsa Uliksi lindi 20 minuta më vonë”.

Pavarësisht situatave të këtilla, Tuhina nuk është aspak pishmane që e bën zanatin e gazetares korrespondente.

“Përgjegjësia e korrespondentit është pak më e ndryshe se e gazetarëve që punojnë në redaksi, sepse thjesht s’ka kush të zëvendëson në momente kur ti nuk mundesh. Është punë që kërkon të jesh në gjendje gatishmërie në secilin moment dhe kjo ndonjëherë përplaset me rrethanat e përditshmërisë ne jetë private”, i tha ajo portalit klankosova.tv.

“Sidoqoftë, nuk ka profesion të vështirë nëse ai ushtrohet me shumë dashuri dhe pasion. Po ta kisha edhe një jetë, prapë do e bëja të njëjtin profesion”.

Tuhina ka gati dy dekada që raporton për zhvillimet në Bruksel.

Videon e raportimit të veçantë të korrespondentes Gjeraqina Tuhina, me djalin pas shpinës, mund ta ndiqni në videon më poshtë.

NA NDIQ NË FACEBOOK