Kosovë
Raportimi i mangët i Policisë së Kosovës për provën e militantëve të VV-së në shesh

Policia e Kosovës e ka quajtur protestë mbledhjen e qindra njerëzve dje në sheshet e Prishtinës, të cilët raportohet të kenë qenë aktivistë të VV’së që po bënin prova për protesta.
Policia e Kosovës për protestën provë të Vetëvendosjes e ka përshkruar me një raport të mangët dhe pa detaje të tjera, duke mos treguar nëse të gjithë këta protestues kanë pas kohën për të dalur ashtu siç është e përcaktuar me masat e Ministrisë së Shëndetësisë kundër koronavirusit.
“Dje në sheshin Skënderbeu të kryeqytetit, rreth orës 14:00 disa persona të shoqërisë civile kanë protestuar duke e mbajtur distancën, të cilët kanë qëndruar rreth 20 minuta në shesh dhe pastaj janë shpërndarë të qetë”, është përshkrimi që policia i ka bërë ngjarjes.
Sidoqoftë, dje në rrjete sociale u ngrit në pikëpyetje legjitimiteti i kësaj mbledhie, pasi që të pranishmit nuk mund të kenë pasur numër të njëjtë letërnjoftimi.
Ndërkaq, ish-kandidati për deputet dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Valdrin Ahmeti dje ka dhënë detaje për organizimin e provave për protesta.
Ai ka shkruar në Facebook se janë bërë prova për protestë nga rreth 500 persona, sipas tij, në formë të kujdesshme e të kufizuar.
“Ditëve në vijim do ta bëjmë një provë me 1500 vetë. Protesta është e drejtë esenciale në një shoqëri demokratike, dhe mbarëvajtjen e saj në kuptimin e organizimit nganjëherë duhet ta garantojmë vet ne qytetarët”, ka shkruar Ahmeti.
Ndryshe, kjo protestë u bë si thirrje për zgjedhje të reja, të cilat VV po i kërkon pas kalimit të pandemisë.





















