Connect with us

Lajme

Raporti i “Freedom House”: Shqipëria ka përkeqësim, bie indeksi i demokracisë

Publikuar

Shqipëria ka shënuar përkeqësim sa i përket qeverisjes demokratike dhe sundimit të ligjit në raportin vjetor të “Freedom House” “Vendet në Tranzicion”.

Shqipëria vazhdon të jetë një demokraci në tranzicion ose hibride, ndërsa indeksi i demokracisë ka rënë nga 3.89 në 3.82.

Shtetet vlerësohen në një shkallë nga 1 në 7, ku 7 është niveli më i lartë i progresit demokratik.

Dy fushat që kanë shënuar rënie, sipas raportit, janë ato të qeverisjes demokratike dhe procesit zgjedhor. Freedom House përmend krizën politike që pasoi dorëheqjen e ligjvënësve të opozitës në shkurt të 2019-ës, shtyrjen e Reformës Zgjedhore dhe atë që e quan ndrydhje të medias nga qeveria socialiste.

Sa i përket rajonit, përkeqësimin me të rëndë e kanë shënuar Serbia dhe Mali i Zi, të cilat kanë rënë nga kategoria e demokracive në atë të vendeve në tranzicion. Të dhënat më pozitive i përkasin Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut që kanë shënuar përmirësime në një sërë fushash.

“Freedom House” vlerëson se Kosova është i vetmi vend në rajon që ka siguruar rritje të indeksit të demokracisë gjatë pesë vjetëve të fundit, shkruan A2 CNN.

Organizata me bazë në SHBA, vlerëson se një numër udhëheqësish në Evropën Qendrore, Ballkanin Perëndimor dhe Euroazi as nuk pretendojnë më të shqetësohen për demokracinë dhe sundimin e ligjit, duke sulmuar haptazi institucionet demokratike e duke punuar për kufizimin e lirive individuale në rajon.

NA NDIQ NË FACEBOOK