Kosovë
Pse Tomë Gashi është më i rëndësishëm se Albin Kurti në Vetëvendosje: Rritja dyfish e partisë për pak muaj

Ishte nëntori i vitit 2016. Vetëvendosje po përdorte dhunë në Kuvendin e Kosovës bashkë me dy parti tjera opozitare, AAK-në dhe Nismën për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Vetëvendosje po qortohej ashpër nga miqtë ndërkombëtarë të Kosovës. Dhe këtu, përmes një tragjedie në lojë futet Tomë Gashi.
Përkundër dhunës së ushtruar në Kuvend, Vetëvendosje i kishte pasur vetëm 13,59 për qind në zgjedhje gjatë asaj kohe. Ky rezultat prej 13,59 për qind e pasoi atë të vitit 2010 prej 12,68. Pra, qytetarët nuk e donin dhe nuk e besonin Vetëvendosjen, ndërkohë që rritja në zgjedhje nuk ndodhte që nuk ndodhte.
Më 5 nëntor humbi jetën në burgun e Prizrenit aktivisti Astrit Dehari, që po mbahej në paraburgim si i dyshuar si i përfshirë në sulmin me granatë dore ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me pesë aktivistë tjerë të kësaj partie.
Rrethanat e vdekjes së Deharit nuk janë ende krejtësisht të qarta dhe këtu futet në lojë avokati Tomë Gashi – që dje u përplas me Nol Nushin e PSD-së duke ia përmendur “nënën e motrën”.
Tomë Gashi i kishte vetëm pak muaj që ta ndërtonte narracionin e tij që ta shpëtonte Vetëvendosjen në zgjedhje. Nga nëntori i vitit 2016 e deri në qershorin e vitit 2017 kishin mbetur vetëm shtatë muaj kohë.
Por, Tomë Gashi ia doli që në mënyrë mahnitëse të ndërtonte një tragjedi politike për rastin Dehari duke bërë akuza të pambështetura politike për “vrasjen” e tij, i cili është një version ende i paprovuar, madje edhe nga ekspertët e Zvicrës. Natyrisht, Kurti nuk do ta kishte dert që vetëm dy muaj më vonë të krijonte bashkëpunim të ngushtë opozitar pikërisht me partinë që drejtohej nga z.Isa Mustafa, kryeministër në kohën e asaj që ndodhi me Deharin.
Në qershor, Vetëvendosje nga 13,58 përmes politizimit të rastit Dehari kërceu në 27,49 për qind.
Tomë Gashi kishte funksionuar. Nga një parti margjinale e e parëndësishme në vend, Vetëvendosje papritmas u bë partia më e madhe parlamentare.
Kjo bëri që Kurti ta shpërblente Gashin duke i marrë djalin e tij Albin Gashin në listën e kandidatëve të tij për deputetë në zgjedhjet e 6 tetorit. E po ashtu, bëri që Gashi të mos sulmohej për asnjë veprim të papranueshëm që mund të bënte në publik.
Periskopi e kishte kapur Gashin duke sulmuar lypësin me emrin Fatos në qendër të Prishtinës, por Vetëvendosje nuk kishte kërkuar arrestimin e tij në emër të barazisë. Gashi e kishte sulmuar edhe verbalisht z.Fatos nëpër studio televizive, por Vetëvendosje sërish e kishte arrestuar. Gashi edhe mbrëmë sulmoi në mënyrë të papranueshme z.Nushi, por natyrisht sërish ai do të jetë i mbrojtur.
Arsyeja? Gashi në fakt kishte qenë shumë më i rëndësishëm elektoralisht se Albin Kurti për Vetëvendosjen. /Periskopi




















