Kosovë
Pas zhdukjes 13 ditore të Konjufcës, gazeta kosovare raporton edhe për mesazhin direkt të Kurtit kundër tij

Albulena Haxhiu kishte deklaruar para disa ditësh se një “pikëpyetje” në titull kishte shpëtuar Periskopin nga “padia” për një artikull ku spekulohej mbi përçarjet brenda partisë së saj. Por, tashmë edhe të tjera media po raportojnë për një gjë të tillë ndërsa Glauk Konjufca, i përmendur në artikull, është zhdukur nga sytë e publikut qe 13 ditë.
Express së fundi ka publikuar një artikull ku shkruan mbi prishjen e raporteve mes kryediplomatit Glauk Konjufca dhe kryeministrit Albin Kurti.
Për herë të fundit, z.Konjufca kishte folur më 24 prill në studio të RTV Dukagjinit ku kishte shfaqur mospajtimet e tij me kryeministrin Albin Kurti në dy çështje shumë të rëndësishme.
Ai kishte thënë se është “gabim të thuhet që ShBA-ja e kishte rrëzuar qeverinë Kurti” pasi kryeministri e kishte bërë një pretendim të tillë për mediat boshnjake duke u bërë lajm edhe në mediat prestigjioze botërore.
Qëndrimi në lidhje me Amerikën mund të ketë qenë problemi kryesor dhe i patejkalueshëm mes dy njerëzve më të fuqishëm në Vetëvendosje. Por, megjithatë nuk ishte i vetmi.
Në po të njëjtën paraqitje publike, Konjufca kishte folur haptas kundër këshilltarit të kryeministrit Kurti, Shkëlzen Gashit, duke thënë se “ai nuk do të kishte vend në kabinetin e tij” pas deklaratave të këtij të fundit se pjesëtarë të UÇK-së kishte kryer krime lufte dhe se Dick Marty që kishte ngritur pretendimet për trafikim organesh ishte në fakt “mik i shqiptarëve”.
Konjufca nuk ishte as në mbledhjen e kryesisë së Vetëvendosjes gjatë ditës së hënë duke ngritur pikëpyetje të tjera mbi përplasje qëndrimesh me kryeministrin.
Gjatë ditës së djeshme ndërkohë, kryeministri Kurti ka lavdëruar dy figura të Vetëvendosjes, Besnik Bislimin dhe Vlora Haxhimehmedin, por jo edhe njeriun që i mori 76 mijë vota në zgjedhjet e fundit, Glauk Konjufcën.
Express e sheh një gjë të tillë si një mesazh direkt të Kurtit ndaj Konjufcës dhe si tentim për ta sulmuar atë.





















