Connect with us

Kosovë

Në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese thekson kërcënimin dhe presionin e Albin Kurtit

Publikuar

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Arta Rama e kishte pranuar një shkresë jo të zakontë nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

E interpretuar si “parashtesë në lidhje me mosrespektimin e afatit ligjor dhe Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese” nga vetë Gjykata Kushtetuese, në trajtimin e kushtetutshmërisë, nga kjo gjykatë, ndaj vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, si masë parandaluese në luftimin e përhapjes së pandemisë COVID-19 në Kosovë, shkresa në fjalë e nënshkruar nga Kryeministri në detyrë Albin Kurti përmban akuza të rënda në lidhje me profesionalizimin e Gjykatës Kushtetuese në trajtimin e lëndës.

Kurti pretendonte se institucioni më i lartë juridik në vend, ka kryer edhe shkelje të ligjit të Republikës së Kosovës.

Madje, Kurti, ka shkuar aq larg, sa i thotë kryegjyqtares Rama se institucioni që ajo e udhëheq e ka vënë edhe nën presion Qeverinë që ai e drejton, “me njoftime të kundërligjshme”, që thotë se janë të papranueshme.

Në këtë shkresë, Kryeministri në detyrë Albin Kurti, pretendon se Gjykata Kushtetuese shkeli dispozitat ligjore në lidhje me afatet e përcaktuara nga ligjdhënësi dhe shmangi aplikimin e një neni të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese.

“Këto dy shkelje ligjore të një rëndësie esenciale në një procedurë gjyqësore kushtetuese, arsyetohen si në vijim: Praktika e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës shpërfaq faktin se refuzimi për qartësim, saktësim apo plotësim të kërkesës së dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese konsiderohet si shkak për refuzimin të kërkesës në procedurë të shkurtër, për shkak se pala nuk i ka plotësuar kriteret procedurale për shqyrtim të mëtutjeshëm”, thuhet në dokumentin e publikuar nga vetë Zyra e Kryeministrit në faqen zyrtare të Qeverisë.

Shkesa në fjalë ka të bëjë për lenden e dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga deputetët e PDK-së, më 17 prill 2020, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Vendimi i datës 13 prill 2020, i prezantuar nga Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, hyri në zbatim dy ditë pas, pikërisht në ditën kur Qeverisë së Kosovës i përfundoi afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila disa javë më parë, më 31 mars të këtij viti, kishte vlerësuar se vendimi i 23 marsit 2020 i Qeverisë së Kosovës për të kufizuar lëvizjen e lirë të qytetarëve nuk ishte në përputhje me Kushtetutën, dhe të njëjtin e shpalli të pavlefshëm.

Gjykata kishte konstatuar se “kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Vendimi i Kushtetueses hyri në fuqi më 13 prill të këtij viti, afat i përcaktuar nga vetë kjo gjykatë.