Connect with us

Sport

Mesazhi i Agim Ademit për katër-vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në FIFA

Publikuar

Në kongresin e 66-të të FIFA-s të mbajtur në Meksikë, më 13 maj të vitit 2016, delegatët pjesëmarrës kishin votuar në shumicë për Kosovën, shkruan Zëri.info.

Nga 205 delegatë që morën pjesë në këtë kongres, Kosova mori 141 vota pra, duke hyrë kështu përfundimisht në FIFA si anëtarja më e re e shtëpisë më të madhe të futbollit në botë.

Në përqindje, Kosova mori 86 përqind të votave, dhe 14 përqind ishin kundër.

Ademi përmes një mesazhi të lansuar në ueb-sajtin zyrtar të FFK-së, ka shkruar në mes të tjerash se ‘3 maji dhe 13 maji janë datat më të rëndësishme në historinë e futbollit të Kosovës’.

Mesazhi i plotë i Ademit:

“Të nderuar drejtues të klubeve, futbollistë, trajnerë, gjyqtarë, ish-zyrtarë të futbollit, ish-futbollistë, anëtarë të FFK-së, ju Dardanë e tifozë tjerë të klubeve, partnerë afaristë, sponsorë e donatorë, gazetarë sportivë;
Të nderuar qytetarë të Kosovës!

3 maji dhe 13 maji janë dy datat më të rëndësishme në historinë e futbollit të Kosovës. Derisa para 10 ditësh e shënuam 4–vjetorin e anëtarësimit në UEFA, sot e shënojmë 4-vjetorin e anëtarësimit në familjen botërore të futbollit – FIFA. Këto dy data i dhanë vlerë dhe hov zhvillimit të futbollit tonë, i cili në këto vite ka bërë hapa të mëdhenj përpara.

Puna e drejtë dhe rezultatet e arritura na kanë mundësuar që të kemi raporte të shkëlqyeshme me UEFA-n dhe FIFA-n, me mbështetjen e të cilave kemi realizuar shumë projekte, për çka i jemi falënderues.

Në ditë si kjo nuk është asnjëherë e tepërt të kujtojmë me krenari sakrificën e shumë gjeneratave, të cilat organizuan futbollin dhe luajtën në fusha të improvizuara për ta mbajtur gjallë këtë segment të rëndësishëm të institucioneve të Kosovës, që në fillimvitet e 90-ta vunë themelet e para të shtetit që sot e gëzojmë.

Prandaj, sot edhe një herë dua të falënderoj të gjithë ata që arat e livadhet e tyre i dhanë në shfrytëzim për t’u bërë fusha futbolli, pastaj futbollistët, trajnerët, gjyqtarët e punëtorët e tjerë sportivë që e rrezikuan jetën e tyre për t’i organizuar garat nën petkun e Federatës së Futbollit të Kosovës. Një respekt i përhershëm për futbollistët që e sakrifikuan jetën e tyre për çlirimin e vendit.

Falënderim i veçantë për të gjithë donatorët, për ata që drejtuan klubet e futbollit në të gjitha periudhat që nga mëvetësimi, si dhe për udhëheqësit e FFK-së që punuan pareshtur që gjeneratat e sotme ta shijojnë futbollin në arenën evropiane.

Lavdi dhe nderim i përjetshëm për Legjendën tonë, Fadil Vokrri, i cili së bashku me anëtarin e KE-s, Flamur Bunjaku, më 13 maj të vitit 2016 në Meksikë arriti të realizojë ëndrrën e radhës – Kosova u bë anëtarja e 205-të e FIFA-s.

Gjatë këtyre katër vjetëve kemi punuar me përgjegjësi maksimale dhe tani jemi më afër se kurrë që ta realizojmë objektivin madhor – kualifikimin në Evropian.

Jemi vetëm 180 minuta larg që ëndrrën ta bëjmë realitet, prandaj na mbetet që të vazhdojmë punën me përkushtim e të bashkuar për t’u bërë për herë të parë në histori pjesë e turneut final të Evropianit.

Ky vit na vuri përballë një gjendje të pazakontë dhe të vështirë, jo vetëm neve si komunitet i futbollit, por në përgjithësi globin. Pandemia Covid-19 ka bërë që futbolli të ndërpritet po thuajse në tërë botën për më shumë se dy muaj dhe primar të jetë shëndeti i popullatës.

Ne si federatë me të gjitha kapacitet tona u vumë në mbështetje të gjithë anëtarëve tonë, duke i ndihmuar financiarisht, ngase jemi të vetëdijshëm për situatën e vështirë.

Tani kudo po bëhen përpjekje maksimale që me rekomandimet e institucioneve shëndetësore të rikthehet futbolli, pasi ky sport shihet edhe si mënyrë e ngritjes së moralit të popullatës edhe në periudha të këtilla të vështira.

Shpresoj se edhe ne do ta kalojmë së shpejti këtë gjendje dhe do t’i kthehemi jetës normale, për t’i vazhduar aktivitetet dhe projektet tona të shumta, me urimin që këtë pandemi ta kalojmë me sa më pak viktima dhe të prekur.

E gëzofshim përjetë anëtarësimin në familjen botërore të futbollit!

Vazhdojmë – me Krenari e Përgjegjësi”. /Lajmi.net/

NA NDIQ NË FACEBOOK