Lajme
Koronavirusi ndalon festën e luleve në Shishtavec

Shishtaveci, për shkak të pandemisë, si asnjëherë më parë nuk e ka festuar “Shën Gjergjin” – ditën e luleve, një festë pagane simbol i ndarjes nga periudha e gjatë e dimrit dhe ardhjes së verës.
Por, pavarësisht kësaj gratë e zonës nuk e kanë harruar ceremonialin kryesor për nder të kësaj dite – veshjen e vajzave me kostume popullore të zonës, si dhe mbledhjen e degëve të mështeknës dhe luleve.
Në kohë normale kjo festë, shumë e rëndësishme për banorët e zonës, do të festohej me shfaqje folklorike, panair gastronomie, gara me kuaj, si dhe aktivitete të ndryshme sportive dhe kulturore me pjesëmarrjen e banorëve vendas, emigrantëve dhe shumë vizitorëve, kryesisht shishtavecarë të shpërngulur në Tiranë, Kukës, etj.
Shishtavecarët e kanë trashëguar ndër shekuj, madje i japin gjallëri çdo vit e më shumë Shën Gjergjit./ A2 CNN



















