Kosovë
Këshilltarët e zhurmshëm: Situatat e pakëndshme ku u përfshinë këshilltarët e kryeministrit Kurti

Para se të bëhej kryeministër, Albin Kurti kishte premtuar se do t’i kishte vetëm pesë këshilltarë politikë derisa përqeshte paraardhësin e tij Haradinajn për inkompetencë pasi ky i fundit i kishte emëruar 35 sosh. E megjithëse pati të drejtë për Haradinajn, ai nuk e mbajti fjalën e ndërkohë këshilltarët e tij bënë veprime mjaft të çuditshme si zyrtarë të lartë shtetërorë.
Rasti i fundit ishte ai i Driton Talit, ish deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e AKR-së, e i cili gjatë ditës së djeshme në mënyrë të pamatur sulmoi presidentin Thaçi.
Driton Tali

Duke dashur të sulmonte pasurinë e këtij të fundit, Tali sulmoi shtresën e varfër fshatare të viteve 50’ e ’60 në Kosovë duke i përmendur madje presidentit edhe nënën amvise dhe babain polar.
Në fakt, në atë periudhë shumica e popullsisë shqiptare ishte e shtresës së varfër fshatare dhe si e tillë ishte më e sulmuara në regjimin komunist jugosllav, shkruan Periskopi.
Një qëndrim të tillë e sulmoi filozofi Blerim Latifi, i cili rrëfeu për një ngjarje duke pretenduar se e kishte parë me sytë e tij Talin derisa “i servilohej” presidentit Thaçi.
Cvetko Veljkoviq

Cvetko Veljkoviq është një tjetër këshilltar i kryeministrit Kurti i cili sapo u emërua u bë e ditur se kishte shpërndarë këngë për kriminelin famëkeq të luftës, Ratko Mlladiqin.
Simpatia për Mlladiq vjen edhe pasi ky i fundit ishte dënuar me burgim të përjetshëm për 10 akuza për krime lufte, gjenocid e krime kundër njerëzimit.
Ai madje për ditën e Pavarësisë, më 17 shkurt, kishte shkruar se shteti nga i cili paguhej, Kosova pra, “ishte Serbi”.
E megjithatë, Kurti ende nuk e ka shkarkuar nga detyra.
Nenad Rashiq

Rashiq pasuroi kabinetin e Kurtit në pozitën e këshilltarit politik për komunitete por më pas mori aktakuzë bashkë me ministra të tjerë nga Prokuroria e shtetit.
Kjo aktakuzë bëri që Kurti t’i kërkonte dorëheqjen nga pozita e këshilltarit ani që e lavdëroi për punën e bërë dhe qëndrimet e tij.
Shkëlzen Gashi

Këshilltari politik Shkëlzen Gashi kishte bërë bujë në opinionin publik pasi që kishte deklaruar se pjesëtarë të UÇK-së kishin kryer krime lufte kundër civilëve të pafajshëm serbë. Madje, ai kishte shkuar më larg duke e cilësuar Dick Martyn si mik të shqiptarëve dhe pjesën e Dukagjinit në një insert u pa derisa i referohej si “Metohi”.
Deklaratat e tij të papranueshme qarkulluan edhe në mediat serbe, ndërkohë që përplot aktivistë të VV-së i dolën kundër, përfshirë edhe ministrin Glauk Konjufca.
Kjo bëri që Kurti ta shkarkonte nga kjo pozitë pasi Gashi kishte refuzuar të jepte dorëheqje.
Elvis Hoxha

Se sa e acaruar ishte bërë gjuha e këshilltarëve të kryeministrit të Kosovës u kuptua edhe nga sulmi që iu bëri Elvis Hoxha votuesve të PDK-së e LDK-së duke i quajtur “të inkriminuar”.
Hoxha – ashtu si këshilltarët e tjerë – nuk paguhet vetëm nga taksat e votuesve të Vetëvendosjes por edhe nga taksat e votuesve të partive tjera e po ashtu edhe nga taksat e shumicës së qytetarëve të cilët nuk kanë votuar fare.
Durim Berisha
![]()
Këshilltari politik i Kurtit për çështje juridike, Durim Berisha, bëri një veprim mjaft kundërthënës kur i doli në mbrojtje shefit të tij në lidhje me atë që thoshte Kushtetuta e vendit, ani pse pak muaj më herët kishte pasur mendim krejtësisht të kundërt.
Në opinionin e tij ai deklaronte se edhe partia e dytë kishte mundësi të formonte Qeverinë, ndërkohë që nga pozita e këshilltarit të Kurtit e thoshte krejtësisht të kundërtën.
Ai u arsyetua duke thënë se nuk e kishte rilexuar tekstin e botuar më herët. /Periskopi





















