Connect with us

Kosovë

JAVA: Sulmet ndaj gazetarëve, presioni mbi Kushtetuesen dhe nisja e re e dialogut të vjetër

Publikuar

Periskopi kthehet sërish te përmbledhjet javore. Ky cikël kohor i shtrirë në shtatë ditë ofroi një varg zhvillimesh politike të rëndësishme në kohën kur kaluam në fazën e radhës të lehtësimit të masave në luftën kundër koronavirusit. Zhvillime që rrezikojnë seriozisht dhunimin e debatit publik dhe rikthimin te politika e vjetër për dialogun.

Prej të hënës e këndej, qytetarët e Kosovës mund ta shfrytëzonin lirinë e lëvizjes një orë më shumë. Dhe, mos-qëndrimi i gjatë në shtëpi duket se e zbehu edhe rëndësinë e zhvillimeve të ndryshme politike.

Kjo javë nisi pas një jave në të cilën u ushtruan protesta nga aktivistët e Vetëvendosjes, ndërkohë që u ofruan edhe komentet e palëve në kontestin në Gjykatën Kushtetuese ku po shqyrtohet kushtetshmëria e dekretit të Presidentit Thaçi që nominon Avdullah Hotin për kryeministër.

Por, diskursi agresiv i kësaj partie për çështjen e vendimit potencial të Kushtetutës nuk u ndal as gjatë kësaj jave. Përkundrazi.

Kjo parti politike bëri presion enorm ndaj kësaj gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese, duke i përmendur edhe emrin madje njërit prej tyre.

Ndërkohë, pasi kishte sulmuar gazetarët e Periskopit për tema të ndryshme e gazetarët e shumë mediave të tjera që nuk janë të kapura prej tyre, Vetëvendosje sulmoi së fundi edhe gazetarët e Grupit Koha pikërisht për çështjen e vendimit të Kushtetutës.

Një sulm të tillë ndaj gazetarëve e denoncoi edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).

E gjatë kësaj kohe sa demokracia dhe liria e vendit ashtu sikurse shëndeti i qytetarëve po cënohet, në Kosovë depërtoi edhe çështja e shembjes së Teatrit në Tiranë. Vetëvendosje nuk ngurroi t’i përkeqësonte marrëdhëniet vëllazërore edhe me Republikën e Shqipërisë, me zv.kryeministrin Haki Abazi që derdhi akuza të rënda edhe ndaj kryeministrit të këtij vendi, Edi Rama.

Jashtë këtyre zhvillimeve polarizuese, ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë Maas dhe homologu i tij francez Le Drian bënë thirrje që Kosova e Serbia të rinisnin negociatat me udhëheqjen e sllovakut Mirosllav Lajçak./Periskopi

NA NDIQ NË FACEBOOK