Connect with us

Kosovë

Ish anëtari i VV-së pas vdekjes së 26 vjeçarit: Arben Vitia të japë dorëheqje e të hiqet karantina te Konviktet

Publikuar

Ish anëtari i Vetëvendosjes i vendosur tashmë në PSD, Nol Nushi, ka bërë një status pas ngjarjes së dhimbshme të djeshme ku një i ri nga Gjilani vdiq te Konviktet në Prishtinë ku ndodhej në karantinë të detyruar nga shteti. 

Nushi ka kërkuar që për shkak të përgjegjësisë politike dhe mundësisë së interferimit në procesin hetimor të ofrojë dorëheqje Arben Vitia, ministria aktual i Shëndetësisë.

Ai po ashtu ka deklaruar se duhet të hiqet karantina në Qendrën e Studentëve në Prishtinë dhe vetëizolimi të bëhet në shtëpi.

“Lidhur me rastin e sotëm tragjik duhet të ketë hetim të pavarur, dhe e vërteta duhet të zbardhet shpejt. Nëse vërtetohen raportimet e mediave mbi problemet shëndetësore që i ndjeri i ka dokumentuar, atëherë kjo është përgjegjësi direkte e qeverisë.” – shkruan z.Nushi në Facebook-un e tij, përcjell Periskopi.

Statusi i plotë: 

Të hiqet karantina në Qendrën e Studentëve, pandemia të luftohet pa e cënuar demokracinë

Një i ri 26 vjeçar ka gjetur vdekjen sot në karantinën e vendosur në Prishtinë. Shprehim ngushëllime dhe ndajmë dhimbjen me familjen e të ndjerit.

Ky rasti tragjik në Qendrën e Studentëve që po shërben si zonë karantinimi duhet të shërbejë si mësim për organet shtetërore që po merren me menaxhimin e pandemisë. Tashmë kjo masë e ka humbur objektin. Rastet e ardhjeve nga jashtë nuk janë masive, kurse virusi veçse është në secilën komunë të Kosovës. Vetëizolimi në shtëpi duhet të jetë mundësi për rastet kur kemi simptoma. Karantina tashmë i ka më të rënda pasojat.

Lidhur me rastin e sotëm tragjik duhet të ketë hetim të pavarur, dhe e vërteta duhet të zbardhet shpejt. Nëse vërtetohen raportimet e mediave mbi problemet shëndetësore që i ndjeri i ka dokumentuar, atëherë kjo është përgjegjësi direkte e qeverisë. Ka gjithashtu shumë dëshmitarë që tregojnë për absurdin e kësaj mase. Lejimi i shumë personave brenda dhomës e humb efektin e izolimit, parregullsitë mbi vendosjen dhe lirimin prej saj duhet të jenë objekt hetimi poashtu.

Viktima e sotme ka qenë zyrtarisht nën përkujdesjen shtetërore. Është shteti që e ka mbyllur në karantinë, ai edhe duhet të përgjigjet. Ky do të ishte minimum që VV do të kërkonte në opozitë. Përgjegjësia politike kërkon dorëheqjen e menjëhershme të ministrit Vitia, për të parë shkeljet eventuale dhe implikimet që jep procesi hetimor pastaj.

Kuvendi duhet sa më parë të vihet në veprim për t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm legjistlativ për luftimin e pandemisë. Së pari, duhet bërë plotësim/ndryshimi i Ligjit për Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse, ashtu që të dalim nga gjendja kundërkushtetuese. Po ashtu, vendit i duhet rialokime buxhetore për shtresa të ndryshme shoqërore që pandemia i ka detyruar ta ndalin punën, kurse mbështetje financiare nuk kanë. Kosova tashmë është vonë në ndërmarrjen e masave ekonomike.

NA NDIQ NË FACEBOOK