Kosovë
Grenell e konfirmon se po tërhiqet nga posti i Ambasadorit në Gjermani

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Gjermani, Richard Grenell po planifikon që të dorëhiqet nga kjo pozitë në javët e ardhshme, dy vjet pasi mori këtë post, raportuan mediat gjermane, duke u thirrur në burime.
Ambasadori amerikan në Berlin dhe Emisari Special i Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka konfirmuar përmes llogarisë së tij në Twitter se po largohet nga pozita e ambasadorit në Gjermani.
Grenell ka postuar shkrimin e gazetës amerikane ‘Politico’ duke shkruar “E vërtetë” në llogarinë e tij në rrjetin social.

Robin Quinville, që është zëvendësambasador, pritet që të bëhet ushtrues detyre i ambasadorit, raporton Dpa.
Ky lajm vjen disa ditë pasi Senati amerikan konfirmoi John Ratcliffe, në postin e drejtorit të agjencisë kombëtare të inteligjencës. Në muajin shkurt, presidenti amerikan, Donald Trump emëroi ambasadorin Grenell ushtrues detyre të shefit të kësaj agjencie.
Një zëdhënës i ambasadës së SHBA-së në Gjermani refuzoi të konfirmojë apo të pohojë se Grenell do të tërhiqet nga posti i ambasadorit.
Ambasadori Grenell është po ashtu i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.






















