Kosovë
Grenell do të mbetet i dërguari special i ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi: Po pret Qeverinë e ardhshme

Më herët, Richard Grenell konfirmoi raportimin se do të largohej nga pozita e Ambasadorit të ShBA-ve në Gjermani, por a do të mbetet si Emisar special i Shtëpisë së Bardhë për dialogun e Kosovës me Serbinë.
Zëdhënësi i tij, Dick Custin, ka deklaruar sot se Grenell do të mbetet i dërguari special i ShBA-ve për dialogun për t’i dhënë fund kësaj dileme.
Madje ai ka shtuar se Grenelli pret që dialogu të vazhdojë menjëherë pas finalizimit të krijimit të Qeverisë së re të Kosovës, përcjell Periskopi.
“Ai pret që dialogu të vazhdojë sa më parë, posa që të finalizohet krijimi i Qeverisë në Kosovë”, ka thënë Custin, për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug. Ai është pyetur nëse vendimi për tërheqje nga pozita e ambasadorit do të ketë ndikim në rolin e tij si i dërguar për dialogun dhe se kur pritet hapi i parë drejt dialogut.
Sipas informatave të agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, Grenell do të tërhiqet shumë kohë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, më 3 nëntor. Robin Quinville, që ka qenë zëvendëse e Grenellit, pritet të marrë përsipër detyrat e tij.






















