Connect with us

OP / ED

Fitër Bajrami dhe mësimet dhe porositë që duhet të marim nga kjo festë

Publikuar

Shkruan: Belkis Latifi

Sapo kemi hyrë në njërën prej dy festave të muslimanëve, dhe atë në festën e Fitër Bajramit.Transmetohet nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) se ai ka thënë:“Kur i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) erdhi në Medine, i gjeti banorët e saj të festonin dy festa, në të cilat argëtoheshin dhe dëfrenin në periudhën para-islame (Ato festa kanë qenë dita e nejruzit dhe dita e mehraxhanit- panairit).Ai u tha atyre: “Unë ju gjeta ju të dëfreni në dy ditë, të cilat i konsideronit festë në kohën e injorancës. Por Allahu ua ka zëvendësuar ato me dy festa më të mira se ato, Fiter Bajramin dhe Kurban Bajramin.”

Hadith i saktë. Transmeton Ahmedi, Ebu Daudi, Nesaiu etj.

Po i qasemi kësaj feste të bukur me një trajtim paksa më ndryshe duke u munduar nga vetë ajo që ndodhë në këtë festë, të arrijmë që të përçojmë mesazhe dhe urtësi deri tek masa e gjerë me të vetmin qëllim që të jetë i kënaqur Allahu i Madhëruar dhe më pastaj të përfitojnë të gjithë lexuesit.

  1. E para që po e veçojmë dhe ndodh nga kjo festë është fakti se:Fitër Bajrami fillon që në mëngjesin e hershëm dhe atë pas faljes së namazit.
    Mësime dhe porosi: Kjo është ajo që duhet t’a ketë çdo njeri i cili synon arritjet e tij në jetë, çdo punëtorë i cili dëshiron që të punojë apo të gjejë punë, gjithsecili i cili shpreson dhe dëshiron që jetën e tij ta kaplojë mirësia dhe bereqeti, ngase kështu na ka mësuar i Dërguari i Zotit Muhamedi alejhi selam në hadithin në të cilin thotë: “I është dhënë bereqet umetit tim në të ngriturit herët” ( sahih el-xhamia 2841).
    Studenti për të shkuar në Universitet dhe të korrë sukseset e tij duhet që të zgjohet herët, punëtori për të i ardhur risku duhet që të zgjohet herët, amviset për të i rregulluar punët e tyre duhet që të zgjohen herët, sikurse proceset tjera të jetës njëashtu dhe kjo festë fillon në mëngjesin e hershëm e të begatshëm.
  2. Përpara që edhe në mënyrë zyrtare të fillon kjo festë , i paraprinë namazi.
    Mësime dhe porosi: Sikurse për festën e Bajramit që është bazë namazi, pra kjo festë fillon me faljen e namazit, njëashtu dhe ne si besimtarë musliman duhet që namazin t’a kemi mbushje të zemrës dhe jetës sonë me përplot energji, pozitivitet dhe lëvizje.
    Jemi dëshmitarë se shumë prej muslimanëve në kohën e sotme kanë probleme me namazin, i cili është shtyllë e fesë Islame, sikurse na ka treguar Muhamedi salallahu alejhi ue selem.
    Sa prej muslimanëve kanë ngecje në këtë drejtim ? Sa prej muslimanëve të cilët do t’a festojnë festën e Fitër Bajramit e refuzojnë thirrjen e Zotit të tyre për pesë herë brenda ditës ? Fatkeqësia e madhe është njëashtu kur pikërisht edhe në këtë ditë të bukur feste shumë prej muslimanëve nuk e fillojnë ditën e tyre me namazin e sabahut i cili është shumë herë më me vlerë se gjithë kjo botë dhe çfarë posedon në të, duke pyetur vetëm për kohën e faljes së namazit të Bajramit dhe duke neglizhuar totalisht namazin e sabahut dhe duke mos pasur frikë se lënia e tij është prej shenjave të hipokrizisë:
    Transmetohet nga Ebu Hurejra se Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: Namazi më i rëndë për mynafikët (hipokritët) është namazi i jacisë dhe i sabahut, e sikur ta dinin çfarë ka në to do vinin qoftë dhe zvarrë. {Transmeton Buhariu 657, Muslimi 651.}
  3. Prej asaj që ndodhë në këtë festë është vizita e farefisit me qëllim të urimit të kësaj feste.
    Mësime dhe porosi:Sa prej muslimanëve në kohët e sotme kanë shkëputur në tërësi lidhjet farefisnore dhe nuk vizitojnë farefisin e afërt përpos se në këta dy festa {Fitër Bajram dhe Kurban Bajram}. Nganjëherë themi: Falenderimi i takon Allahut që kemi dy festat dhe shumë prej nesh shihemi me familjarë tanë dhe dashamirë dy herë brenda vitit, ngase poqese s’do të ishin këta festa kush e di vallë se kur do të shiheshim.
    Mos mbajtja e lidhjeve farefisnore është prej gabimeve të mëdha të cilin e bëjnë shumë prej muslimanëve të sotëm dhe atë po flasim për gjirin paksa më të gjërë familjarë ngase çfarë të themi për ata të cilët kanë shkëputur lidhjet e afërta farefisnore sikurse janë: me prindërit, me motrën, vëllaun, xhaxhai, djemtë e xhaxhaut, hallën, tezen, dajën e kështu me rradhë.
    Ç’farë t’i themi kësaj gjendje të mjerë ku do t’a takojnë këtë festë madhështore dhe nuk do të shikohen sy me sy me familjarët e lartëpërmendur. Këtyre kemi shumë se çfarë t’u themi, por që të mos zgjerohemi u’a rikujtojmë vetëm dy hadithe nga hadithet e shumta të cilat flasin mbi mbajtjen e lidhjeve farefisnore, njërin hadith përzgjodhëm me qëllim të inkurajimit , kurse tjetri për t’iu rikujtuar ndëshkimin nga ana e Allahut gjithë atyre të cilët ndërpresin këtë lidhje.
    Transmeton Ebu Hurejra i cili thotë: E kam dëgjuar Pejgamberin salallahu alejhi ue selem duke thënë: “Kush dëshiron t’i shtohet furnizimi dhe t’i zgjatet jeta le të respektojë farefisin.” {Buhariu nr. 5986 dhe Musliminr. 6471}.
    Njëashtu Pejgamberi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Nuk hyn në Xhenet ai i cili ndërpret lidhjet farefisnore.” {Buhariu}.
  4. Kjo festë proklamon dhe synon shtimin e harmonisë së besimtarëve musliman në mes vete, falje, paqe, mëshirë, tolerance dhe kështu me rradhë.
    Mësime dhe porosi: Ne si muslimanë të kohës së sotme kemi shumë ankesa në lidhjen me gjendjen e muslimanëve në mbarë botën dhe kjo është plotësisht me të drejtë, porse shumë prej muslimanëve dëshirojnë ndryshimin e kësaj gjendjeje në të cilën ndodhemi por në anën tjetër futet me vëllaun e tij musliman shqiptar në një saf në xhami kurse kur të del prej saj nuk përshëndetet me të! Në anën tjetër hidhërohemi me vëllezërit tanë me të cilët çdo ditë shihemi dhe nuk flasim kohë të tërë për shkak të gabimeve shumë minimale të bëra kundrejt nesh! Nuk e hapim derën e faljes, tolerancës, mëshirës kundrejt atyre të cilët gabojnë kundrejt nesh!
    Vallë a nuk është kjo festë një mundësi që të gjithë atyre të cilët gabuan me ne që t’ua falim, t’ua bëjmë hallall ? A nuk është kjo festë një mundësi që të gjitha ata të cilët deri më sot nuk i kemi përshëndetur, me ardhjen e kësaj dite dhe feste t’i përshëndesim dhe t’i themi stop hidhërimit ?
    Atëherë do të pranojmë lëvdatat prej teje duke thënë se ja kjo festë reflektoi pozitivisht tek unë – deri më sot nuk kam folur me djalin e xhaxhait kurse nga sot fillova që të flas me të, shumë kohë nuk e kam vizituar dajën kurse me këtë festë fillova përsëri me shkuarjen tek ai, me ardhjen e kësaij feste i’a fala shokut tim i cili ka gabuar ndaj meje, me ardhjen e kësaj feste tolerova fqiun tim i cili më kishte dëmtuar, me ardhjen e kësaj feste hapa zemrën kundrejt gjithë muslimanëve të cilët kanë gabuar ndaj meje duke u’a falur, por njëashtu duke kërkuar prej gjithë atyre ndaj të cilëve kam gabuar, të më falin.
    Këta dhe të tjera janë lëvizje konkrete dhe hapa përmirësimi gjatë festës së Fitër Bajramit.

Urime të gjithëve.