Sport
FFK dërgon telegram ngushëllimi për familjen Dafota

Ai vuajti nga leukemia akute, e cila ia mori jetën për një kohë të shkurtër.
Ardreni ishte trajnues edhe në disa projekte zinxhirore të Federatës së Futbollit të Kosovës.
Trajneri 25-vjeçar në akademinë e futbollit “Naim Kryeziu” të klubit futbollistik Vëllaznimi, Ardren Dafota, ka ndërruar jetë.
Telegram ngushëllimi familjes i ka dërguar edhe Federata e Futbollit të Kosovës.
“Me dhimbje të thellë e morëm lajmin për ndarjen e papritur nga jeta të më të dashurit tuaj dhe bashkëpunëtorit tonë të zellshëm, Ardren Dafota, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet tona më të sinqerta.Ardreni ishte i dashuruar me futbollin dhe këtë e dëshmoi që nga fëmijëria, teksa si futbollist aktiv u shqua me talentin e tij në KF “Gjakova”, KF “2 Korriku” dhe KF “Flamurtari”. Ai pas përfundimit të studimeve dhe karrierës si futbollist nisi me përkushtim punën e trajnerit, derisa me punën dhe profesionalizmin e tij arriti që të bëhet pjesë e programit Grassroots të FFK-së, ku shërbeu si edukator, si dhe ishte udhëheqës i programit për fëmijët me nevoja të veçanta në Gjakovë “Të gjithë jemi të barabartë”.Ardreni gjithmonë ishte i përkushtuar në punë dhe u dallua si profesionist i vërtetë. Ai u shqua si një djalë shembullor, mik i shkëlqyeshëm e i afërt me të gjithë ata që e njohën dhe me të cilët punojë, andaj si të tillë do ta kujtojmë përherë.Në këto momente të vështira të gjithë jemi pranë jush, për ta përballuar dhimbjen për humbjen e njeriut më të dashur për ju në moshë kaq të re.I lehtë i qoftë dheu i Kosovës! Me respekt, Agim Ademi, president i FFK-së”, njofton FFK. /Lajmi.net/






















