Kosovë
Deklarata për vëllavrasje, Agim Bahtiri nuk është ftuar më në Prokurori

Një deklaratë e kryetarit të Mitrovicës Jugore pati ngjallë reagime të mëdha. Agim Bahtiri në fund të muajit mars pati thënë se çfarëdo mënyre e krijimit të Qeverisë së re pa VV-në, do të shkaktojë vëlla-vrasje.
E kjo deklaratë e tij, ka mjaftuar që Prokuroria Themelore në Mitrovicë ta ftoj atë për intervistim.
Ky organ i akuzës pati njoftuar zyrtarisht se kanë nisur hetim ndaj Bahtirit, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “nxitjes së përçarjes dhe mos durimit”.
Por, Prokuroria Themelore e Mitrovicës nuk e ka ftuar më Agim Bahtirin.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar avokati i Bahtirit, Tomë Gashi.
E deklarata e Agim Bahtirit kishte shqetësuar edhe Presidentin Hashim Thaçi.
Madje ai i kishte nisur një letër kryeprokurorit të Shtetit, ku thoshte se deklarata e kryetarit të Mitrovicës, ishte kërcënim direkt për presidentin.
Pos kësaj, sipas shefit të shtetit me këto deklarata anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, ka tentuar që të ndryshoj rendin kushtetues të Kosovës, të përmbysë institucionet më të larta të vendit, të pengoj presidentin në ushtrimin e detyrës zyrtare si dhe të detyroj presidentin për të mos kryer detyrat zyrtare.
Por, gjithë këto pretendime të presidentit Tomë Gashi i quan absurde.
Sipas tij, deklarata e Agim Bahtirit nuk përbën vepër penale.
Ndërkohë, T7 për këtë rast ka kërkuar sqarime edhe nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Zëdhënësi Valon Preteni, ka konfirmuar se Agim Bahtiri nuk është ftuar më në prokurori, ndërsa nuk ka dhënë ndonjë detaj tjetër.





















