Connect with us

Kosovë

Çka ndodh nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të Vetëvendosjes?

Publikuar

Skena politike në Kosovë është nën ethe duke pritur verdiktin e Gjykatës Kushtetuese për Dekretin e Presidentit Thaçi që e nominonte për kryeministër Avdullah Hotin, kandidatin e shumicës së re parlamentare. Por, përtej interesave të partive politike, vendimi do të ketë rëndësi tepër të madhe për mënyrën se si i mendojmë zgjedhjet, demokracinë dhe jetën politike në vend.

Gjatë ditës së djeshme, shumë zyrtarë të Vetëvendosjes përsëritën e përsëritën se Gjykata Kushtetuese kishte të drejtë që vetëm ta “interpretonte” Kushtetutën por jo edhe ta “bënte” atë, duke qenë se afati kohor që i ofrohet partisë së parë për të dhënë emrin e mandatarit pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit nuk është përcaktuar.

Në fakt, edhe nëse Gjykata Kushtetuese do të vendoste në favor të Vetëvendosjes, kjo do të nënkuptonte që “afati kohor do të përcaktohej” pasi që mos-përcaktueshmëria e këtij afati do të merrte kuptim anti-kushtetues.

Por, Vetëvendosje po i bën presion të madh Gjykatës Kushtetuese vazhdimisht dhe tashmë kanë deklaruar haptas se nuk do ta respektojnë vendimin e këtij institucioni i cili do të konsiderohet sipas tyre si anti-kushtetues.

Megjithatë, çështja është aq e rëndësishme sa tejkalon emrat e përveçëm si Albin Kurti, Avdullah Hoti, Isa Mustafa e të tjerë, apo edhe emrat e partive të tyre, shkruan Periskopi.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të përcaktojë mënyrën se si do të sillen partitë politike, mënyrën se si do të mendohen zgjedhjet, demokracia dhe gjithë jeta politike në vend.

Vetëm votuesit e partisë së parë vlejnë, të tjerët jo

Pasoja e parë direkte mbi demokracinë do të ishte mos-përfaqësimi i barabartë në Kuvend i votuesve kosovarë. Votuesit e filan partisë, që do të dilte e para, madje edhe nëse do të merrnin vetëm 20 deputetë do të bëheshin esencialisht më të vlefshëm se sa votuesit e partive të tjera parlamentare.

Zgjedhjet do të reduktoheshin efektivisht në “garë automobilistike” (krahasim nga Kurti) ku i pari – madje edhe nëse do ta kishte veç një votë më shumë – do të kishte favore të jashtëzakonshme politike ndaj partive të tjera.

Veç partia e parë do të kishte mundësi që ta formonte Qeverinë përveç faktit që kësaj partie veçse i ofrohet me automatizëm pozita e kryetarit të Kuvendit.

Bllokadë pas bllokade

Kosova ishte në bllokadë institucionale për 119 ditë rresht, prej 7 tetorit e deri më 3 shkurt pasi që VV dhe LDK nuk po arrinin marrëveshje për ndarje të pushtetit.

Kosova ishte në bllokadë edhe gjatë gjithë verës së vitit 2017, duke qenë se koalicioni fitues (PAN) nuk po arrinte marrëveshje për formimin e Qeverisë, gjë që e bëri vetëm në shtatorin e atij viti.

Por, Kosova ishte në bllokadë edhe në vitin 2014, për gjashtë muaj rresht (qershor-nëntor) pas formimit e më pas shformimit të koalicionit VLAN.

Nuk ka asnjë studim mbi milionat e humbura shkaku i këtyre bllokadave politike, por në rast se Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Vetëvendosjes, atëherë kjo do të nënkuptonte që bllokadat do të shtoheshin.

E drejta ekskluzive për formim qeverie që i ofrohet partisë së parë pamundëson marrëveshjet politike mes partive parlamentare me frymë mirëbesimi e mirëkuptimi.

Zgjedhje të parakohshme, edhe më shumë e edhe më shpesh

Katër palë zgjedhjet e fundit në Kosovë ishin të parakohshme. Kjo natyrisht që e dëmtoi rëndë demokracinë në vendin tonë, duke i bërë katër nga dhjetë vitet e fundit si vite zgjedhore. Madje, prej vitit 2014 e deri më 2019, çdo i dyti vit ishte vit zgjedhor duke pamundësuar direkt politikat jopopuliste afat-gjate dhe duke i lëshuar vend politikave afat-shkurtëra e dëmtuese për vendin.

Por, nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese i jep të drejtë Vetëvendosjes atëherë zgjedhjet e parakohshme mund të bëheshin të përvitshme.

 

Kjo për shkak të brishtësisë së marrëveshjes për formimin e qeverisë mes partive tjera parlamentare dhe partisë fituese. Secila parti parlamentare, në cilindo moment të dhënë, e pakënaqur me ndonjë vendim nga kryeministri do të mund të tërhiqej nga koalicioni duke shkaktuar zgjedhje të reja.

Qytetarët e Kosovës votojnë për një qeveri që do të zgjaste katër vjet. Por, kjo gjë nuk do t’i mundësohej asnjëherë.

Ta zëmë, edhe partitë opozitare të deritashme, PDK, AAK, Nisma, pa qenë fare pjesë e Qeverisë së re do të kishin mundësi që ta rrëzonin Qeverinë përmes një mocioni mosbesimi duke u bërë bashkë me Listën Serbe.

Luftë politike, jo përfaqësim

Një vendim i tillë do ta kthente garën zgjedhore në një luftë politike të vazhdueshme me gjuhë të urrejtjes e mosdurimit dhe me shpifje, fjalë të tjera dhune e kështu me radhë. Por, qytetarët do të harroheshin për shkak të polarizimit të madh të debatit publik.

Çdo kategori minoritare shoqërore do të konsiderohej e pavlefshme për shkak të pasojave elektorale.

Në vend se të përfaqësonin çështje të caktuara, grupe të caktuara shoqërore, partitë ose koalicionet do të provonin të përfaqësonin të gjithë duke mos përfaqësuar kësisoj askënd.

Çdo fjalë e çdo fjalim politik, ashtu si çdo status e çdo paraqitje televizive do të bëhej praktikisht elektorale dhe për përfitime elektorale. /Periskopi