Kosovë
A po e kushtëzon Kurti njohjen e verdiktit të Gjykatës Kushtetuese?

Janë bërë tashmë më shumë se tre javë prej kur Gjykata Kushtetuese mori vendim për pezullimin e dekretit të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi për të nominuarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Avdullah Hotin.
E gjithë kjo situatë e krijuar pas rrëzimit të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Kurti me anë të mocionit të mosbesimit me mbi 81 vota, derisa dhe tash e rreth dy muaj e njëjta vazhdon të jetë në detyrë, shkruan lajmi.net.
E për formimin e qeverisë së re pa shkuar në zgjedhje, LDK është zotuar se i ka numrat, në një koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate. Por, për të parë nëse një gjë e tillë është në rregull nga aspekti legal, duhet pritur verdikti i Gjykatës Kushtetuese mbi dekretin e presidentit për Avdullah Hotin.
Ky dekret është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa të gjitha subjektet e përfshira në proces kanë dërguar argumentet e tyre në Gjykatë.
Përderisa të gjitha subjektet nominalisht janë zotuar të respektojnë vendimin e Kushtetueses, gjuha e tyre dhe veprimet politike lënë të kuptohet se i njëjti do të respektohet vetëm nëse është në favor të tyre.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ani pse është zotuar se do të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, këtë e ka kushtëzuar duke thënë se i njëjti duhet të jetë interpretim i Kushtetutës.
“Do ta respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa është interpretim i Kushtetutës”, ka thënë Kurti shkurt para mediave dje gjatë vizitës së tij në Dubravë.




















