Lajme
Vdes 85 vjeçari me koronavirus, MSH: Vdiq nga infarkti i miokardit

Një 85 vjeçar me koronavirus ndërroi jetë në Shkodër në banesën e tij, ndërsa Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se shkak i vdekjes së të moshuarit nuk ka qenë Covid-19.
“I moshuari 85 vjeçar, me inicialet E.L., i cili ka ndërruar jetë në banesën e tij në Shkodër nuk ka humbur jetën si pasojë e Covid-19. I moshuari i cili prej dy muajsh qëndronte i palëvizur për shkak të një frakture koksofemorale dhe vuante nga diabeti mellitus, sëmundje kardiake dhe hipertension, ka ndërruar jetë si pasojë e infarktit të miokardit ditën e sotme”.
“85 vjeçari ka qenë bartës i Covid-19 i konfirmuar gjatë hetimit epidemiologjik të kryer tek të gjithë anëtarët e familjes së tij në Shkodër, por ka qenë asimptomatik gjatë gjithë kohës, pra pa shenja të sëmundjes. 85 vjeçari ndiqej nga mjeku i familjes i cili ka konfirmuar se shkaku i vdekjes është infarkti i miokardit”.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe siguron opinionin publik se do të informojë për situatën, sikundër ka bërë deri tani. Sqarojmë edhe një herë se 85 vjeçari nuk është viktimë e Covid-19 në Shqipëri”, ka sqaruar Ministria e Shëndetësisë.
Ndërkohë, në përditësimin e së premtes u bë e ditur se në Shqipëri janë prekur në total nga koronavirusi 416 persona, nga të cilët 23 kanë ndërruar jetë./ A2 CNN




















