Uncategorized
Turqia kërkon nga komuniteti ndërkombëtar t’u ndihmojë sirianëve në kohën e virusit

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, i ka bërë thirrje komuniteti ndërkombëtar që t’u ndihmojë sirianëve në kohën e pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) përkundër rënies së përpjekjeve për dërgimin e ndihmave, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë virtuale nga Këshilli Atlantik në Turqi dhe Organizata e Trashëgimisë Turke, ministri Çavuşoğlu tha se Turqia është burimi kryesor i ndihmës dhe pandemia po “vështëson” përpjekjet në Siri.
“Ne jemi të shqetësuar se kjo mund të shkaktojë një valë tjetër të refugjatëve në Turqi për shkak të dështimit të bashkësisë ndërkombëtare”, tha Çavuşoğlu. “Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë para se të jetë tepër vonë për Sirinë dhe Idlib”.
Ai veçoi Idlibin, i cili është bërë një skenë e fushatës brutale nga regjimi i Bashar al-Asadit dhe aleatëve të tij, duke thënë se krahinës i nevojitet dëshpërimisht më shumë ndihmë e huaj dhe një plan i fuqishëm global “të cilin ne nuk e kemi për momentin”.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin më 5 mars u dakorduan për një armëpushim të ri në Idlib në përpjekje për t’u dhënë fund armiqësive dhe sulmeve ndaj civilëve.
Sipas kryediplomatit turk, ereth 1,5 milionë sirianë janë pranë kufijve të Turqisë.
“Ne kemi nevojë për mbështetje konkrete, në kohë dhe të pakushtëzuar nga aleatët tanë”, tha ai.
Sipas të dhënave të universitetit amerikan Johns Hopkins, në Siri ka të paktën 29 raste të konfirmuara me COVID-19 dhe dy vdekje, por aktivistët e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se virusi mund të përfshijë zonat e goditura nga konflikti.
Në fund të muajit mars, shefi i Zyrës për Koordinim të Çështjeve Humanitare të Kombeve të Bashkuara (OKB), Mark Lowcock, tha se rastet e para të konfirmuara me COVID-19 në Siri janë vetëm “maja e akullnajës” të përhapjes së sëmundjes që mund të ketë “ndikim shkatërrues” në vendin e përfshirë nga lufta.





















