Kosovë
Presidenca mohon lajmin se Thaçi i ka shkruar sot Kurtit për t’ia kërkuar mandatarin

Zyra e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi ka demantuar lajmin e publikuar sot në media se Presidenti i vendit i ka nisur letrën e dytë kryetarit të LV-së Albin Kurti për t’ia kërkuar emrin e mandatarit për formimin e Qeverisë së re.
Zyra e Presidentit i ka thënë Periskopit se Presidenti nuk i ka nisur asnjë shkresë zyrtare sot Kurtit.
“Presidenti i vendit nuk i ka nisur sot asnjë shkresë zyrtare kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Presidentit.
Kujtojmë se sot burime të Gazetës Blic brenda Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë të ditur se Albin Kurti, ka marrë edhe një letër nga ana e presidentit Thaçi, i cili ka kërkuar që t’ia dorëzojnë mandatarin për formimin e qeverisë./Periskopi/






















