Ndryshe
OBT-ja alarmon: Depresioni i Madh i para 100 viteve drejt rikthimit shkaku i masave ndaj koronavirusit

Tregtia ndërkombëtare është ndaluar si rezultat i masave kundër përhapjes së pandemisë Covid-19 dhe mund të jetë rrugës për një kolaps po aq të rëndë sa ai që njihet si Depresioni i Madh i viteve ’30, ka thënë Organizata Botërore e Tregtisë (OBT).
OBT-ja me bazën në Gjenevë, përgjegjëse për krijimin e politikave të sistemit të tregtisë globale, tha se edhe skenari më optimist i mundshëm për 2020-n ishte rënia e tregtisë për 13 për qind, një rënie kjo më e madhe se recesioni i viteve 2008-09 i shkaktuar nga kriza bankare.
Por, kjo organizatë alarmoi se mund të kishte rrezik për rezultate edhe më të zymta sipas të cilave tregtia do të zvogëlohej për 32%, e që është parë vetëm mes viteve 1929 dhe 1932, shkruan The Guardian, përkthen Periskopi.
Kolapsi në tregtinë globale gjatë viteve ’30 ishte pjsërisht për shkak të masave proteksioniste të imponuara nga vendet në zhvillim, dhe kreu i OBT-së, Roberto Azevedo, paralajmëroi se vendosja e barrierave si kundërpërgjigjje ndaj Covid-19shin vetëm sa do t’i përkeqësonte punët.
“Këta numra janë të shëmtuar – nuk ka nevojë t’i vijmë rrotull kësaj çështjeje. Por një kthim mbrapa i fuqishëm e i vrullshëm është i mundur. Vendimet që do të merren tash do ta përcaktojnë formën e ardhme të mëkëmbjes dhe rritjes globale,” tha Azevedo.
Megjithëse nuk përmendi asnjë vend me emër, drejtori gjeneral i OBT-së e bëri të qartë se fundi i tensioneve tregtare mes ShBA-ve dhe Kinës do të ndihmonte në minimizimin e rënies ekonomike nga pandemia.
“Mbajtja e tregjeve të hapura dhe të parashikueshme, ashtu si rritja e një ambienti më të favorshëm të biznesit, do të jetë kritik që të rrisim investimet për të cilat kemi nevojë. Dhe nëse vendet bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, do ta shohim një mëkëmbje më të shpejtë se sa nëse vendet punojnë vetëm prë vetëm.” /Periskopi





















