Kosovë
Mërgata mbështet fuqishëm Kosovën, ja sa para mblodhi për pak ditë

Para disa ditëve Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar ndihmën e diasporës për tejkalimin e gjendjes së krijuar me koronavirusin e ri, si pasojë e të cilit deri më tash janë prekur 387persona.
Kurti theksoi që me stafin mjekësor po e bëjnë të pamundurën që të ndalojmë përhapjen më të madhe të këtij virusi mirëpo që qeveria jonë ka hapur një xhirollogari të veçantë për të dedikuar të holla për menaxhim të pandemisë.
“Fondin rezervë të paraparë vetëm për raste urgjente e kemi gjetur të zbrazur, ndërsa deficiti tregtar është rritur, e prodhimi vendor është i ulët. Në këtë kohë kur shtetet po izolohen, e ardhmja e Kosovës është e pasigurt e me mungesa të shumta. Me stafin mjekësor po e bëjmë të pamundur që të menaxhojmë parandalimin e përhapjes së virusit korona, mirëpo na duhet edhe ndihma juaj. Duke e pasur parasysh gjendjen qe ndodhet vendi ju bëj thirrje të bëheni pjesë e solidaritetit dhe të na ndihmoni në këtë luftë. Qeveria jonë ka hapur një xhirollogari të posaçme dedikuar menaxhimit të pandemisë”, ka thënë Kurti.
Kurse, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka ka njoftuar se brenda një dite mërgata ka dhënë afër 100 mijë euro për fondin emergjent, transmeton Botasot.
“Mërgata për një ditë afro 100 mijë euro për fondin emergjent. Ajo solidarizohet si gjithnjë me vendlindjen dhe beson në qeverisjen e re. Po ashtu i jep përgjigje cinikëve që s’besojnë asgjë dhe kukasin gjithandej“, ka shkruar Manxhuka.





















