Sport
Lukaku: 23 lojtarë të Interit kishin simptoma të koronavirusit në janar

Ndeshja e fundit në Serie A e zhvilluar para përhapjes së madhe të COVID-19, ishte Juventus – Inter, me lojtarët e të dy skuadrave që qëndruan në vetë-izolim shkaku i daljes në COVID-19 të mbrojtësit të Juventusit, Daniele Rugani.
Deri më tani, asnjë lojtar i Interit nuk ka dalë pozitiv në koronavirus, por brenda skuadrës ka pasur dyshime që në janar, ka zbuluar Lukaku.
“E patëm një javë pushim në dhjetor dhe betohem se pasi iu kthyem punës, 23 prej 25 lojtarëve ishin të sëmurë. Nuk bëj shaka. Ne luajtëm kundër Cagliarit të Radja Nainggolanit dhe pas 25 minutave lojë, njëri prej mbrojtësve tanë iu desh të largohej nga fusha. Ai nuk mundi të vazhdonte sepse për pak sa nuk i ra të fikët”, zbuloi Lukaku, derisa po fliste drejtpërdrejt në Instagram.
“Të gjithë po kolliteshin dhe kishin temperaturë. Kur ngrohesha ndieja shumë më shumë të nxehtë se zakonisht. Kisha vite që nuk kisha temperaturë”, shtoi ai./Lajmi.net/






















