Kosovë
Kosovarët po përballen me ankth e ëndrra të këqija, psikologja tregon si ta menaxhoni këtë gjendje

Pandemia e koronavirusit ka transformuar jetën e njerëzve në gjithë botën. Në shumë vende, shkollat dhe bizneset janë mbyllur, shkruan Periskopi.
Njerëzit druhen se mund të infektohen dhe shqetësohen se të afërmit e tyre mund të sëmuren dhe vdesin. Pandemia shkakton një ankth të madh të cilin edhe në Kosovë po e përjetojnë shumë persona.
Por, si ta luftojmë këtë gjendje të pazakontë?
Psikologia klinike, Lumnije Telaku në një prononcim për Periskopin thotë se kategoria më e shqetësuar janë ata persona që vlerësohen si ‘ankthcioz’’.
Kjo lloj kategorie, sipas psikologes duhet të punojnë më shumë me veten e tyre dhe t’i marrin gjërat më shtruar duke i larguar mendimet se mund të preken nga virusi dhe të vdesin.
‘’Kategoria më e shqetësuar që janë në ktë rast, janë njerëzit ankthcioz. Edhe një kategori e njerëzve që janë mësuar të dalin shumë shpesh. Ata nuk munden me paramendu me qenë të mbyllur. Ëndrrat janë proces i mendimeve, sepse mendja jonë ndahet në vetëdijen dhe pa vetëdijen. E pa vetëdijshmja prodhon mendime edhe kur jemi në gjumë. Ne nuk duhet ta mbajmë mendjen vetëm tek sëmundja, te virusi por duhet me u adaptu me forma të ndryshme. Duhet të angazhohen më shumë se zakonisht. Ata në mënyrë mos të themi të detyruar por në mënyrë obligative duhet ta tërë kohën ta mbajnë trurin e vet në një punë sepse edhe truri është organ si edhe organet tjera dhe ka nevojë për punë për stimulim dhe gjëra të ndryshme’’, tha Telaku.
Përpos që psikologja sqaron si ta menaxhoni një sulm paniku, ajo na jep një lajm të mirë teksa thotë se kjo gjendje nuk lë pasoja dhe është lehtësishtë e shërueshme.
‘’Kur kemi sulme paniku duhet të marrim frymë thellë për me ulë nivelin e ankthit quhet hiperventilim sepse ndikon që të ulët niveli i ankthit dhe të largohen mendimet e këqija. Kjo është gjendje që nuk lë pasoja dhe mund të shëroheni lehtësishtë. Më së miri është të bëni konsultime me psikologun meqenëse është i fushës’’, përfundon psikologia klinike, Lumnije Telaku.
Kujtojmë se deri më 16 prill, në Kosovë janë shënuar 423 raste të konfirmuara me COVID-19, 74 pacientë janë shëruar ndërsa janë shënuar 10 raste vdekjeje./Periskopi/Z.R/


















